Kombetarja

Njeriu para profesionistit. Nga Rama te De Biazi, mesazhe prekëse për Ylli Mihalin

Në morinë e mesazheve që pasuan lajmin e ndarjes nga jeta të fizioterapistit të Kombëtares, Ylli Mihali, përveç ngushëllimeve të formës zyrtare, binin në sy edhe disa mesazhe prekëse të atyre që e kanë njohur nga afër dhe kanë bashkëpunuar me të. Në të githa këto mesazhe kuptohet qartë vlerësimi për njeriun para profesionistit.

Dhe mes këtyre mesazheve të tërheq vëmendjen ai i ish-trajnerit të Kombëtares, Xhani De Biazi, aktualisht trajneri i Azerbajxhanit. Italiani me nënshtetësi shqiptare ka bërë një postim në tre gjuhë në faqen e tij, italisht, shqip dhe anglisht, ku shpreh gjithë keqardhjen për ikjen e parakohshme nga kjo jetë të Ylli Mihalit.

Ylli Mihali. Gazeta Si, 13 shtator 2021

“Jam vërtet i trishtuar për ikjen nga jeta e mikut tim Ylli. Personi që e vlerësova shumë, njerëzisht dhe profesionalisht. Fiziku i tij i bëshëm fshehu një shpirt të mirë dhe bujar, një person autentik që e donte punën e tij dhe Kombëtaren tonë. Fatkeqësisht, do të kem një mik më pak në Shqipëri, por do të mbaj praninë tënde të dashur Ylli në zemrën time. Faleminderit per gjithçka. PREHU NE PAQE MIKU IM”, – shkruan De Biazi.

Pas presidentit të FSHF-së, Duka, i pari që reagoi pas lajmit të trishtë, mesazhe ngushëllimi kanë postuar në faqet e tyre thuajse gjithë klubet e Superiores, futbollistë të ndryshëm dhe ish-futbollistë e drejtues ekipesh. Nuk ka munguar as mesazhi ngushëllues i kryeministrit të vendit, Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë