Rënia e ashensorit pak pas mesnatës së të dielës në “Astir”, ku mbetën të plagosura dy gra, ka rikthyer në vëmendje tragjedinë e ndodhur në 20 janar të vitit 2017 në një pallat në Tiranë në zonën e “Freskut”.
Në atë ngjarje, humbi jetën 30-vjeçarja Drilona Duriçi, nënë e një fëmije 5 vjeç dhe që ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
E reja, e cila po kthehej në shtëpi, pasi kishte dërguar djalin në kopsht, hipi si çdo ditë në ashensor, por pa arritur në katin e tretë. Flakët përfshinë kabinën metalike, ndërsa gruaja humbi jetën në vend.
Por asnjëherë nuk u mësua se kush ishin përgjegjësit e vërtetë. Prokuroria vendosi ta arkivojë dosjen, duke e cilësuar ngjarjen si aksidentale.
Sipas akteve të ekspertimit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, dhe të Inspektoriatit të Shërbimit Teknik Industrial, u konstatua se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale dhe se askush, qoftë individ apo shoqëri, nuk mund të bëhej përgjegjës për vdekjen e gruas së re.
Ekspertët i thanë Prokurorisë se ashensori ishte jashtë çdo kushti teknik dhe se pallati nuk kishte administrator, që të kujdesej për shërbimet.
Nga hetimet dhe pyetja e dëshmitarëve, ka rezultuar që prej rreth 4 muajsh, nuk ishte kryer asnjë kontroll. Personi përgjegjës që merrej me mirëmbajtjen e ashensorit kishte hequr dorë nga kjo punë, se banorët nuk e paguanin.
Gjithashtu, u vërtetua se zjarri nuk u shkaktua nga ndonjë faktor i jashtëm, por si pasojë e djegies së droselit të ashensorit, me flakët që u përhapën kudo.
Amortizimi, mungesa e mirëmbajtjes, por edhe cilësia e dobët e ashensorit dhe instalimeve në të, duket se ka sjellë zjarrin që i mori jetën 30vjeçares.
Rreth tre muaj pas tragjedisë, prokurorët vendosën të mos fillojnë procedim penal, pasi nuk kishte persona të dyshuar që mund të hetoheshin pa një akuzë konkrete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.