Në dy nga tri ndeshjet e fundit eliminatore, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, zgjodhi Berishën si titullar në portë, konkretisht ndaj Polonisë dhe Hungarisë, kurse me San Marinon luajti Strakosha. Në fakt, si Berisha, ashtu edhe Strakosha, nuk e kanë nisur sezonin si titullarë me skuadrat e tyre në Serinë A, por Reja duket se beson pak më shumë te Berisha, që ka më shumë përvojë.
Etrit Berisha kaloi në verë nga Spali te Torino, ku gjatë prezantimit të bërë sot ka folur edhe për konkurrencën me Milinkoviç-Saviç: “Kam folur me Vanjën dhe i kam thënë se kam ardhur te Torino për të ndihmuar skuadrën, duke vënë në dispozicion eksperiencën time. Për mua, fakti i të qenit portieri i parë apo i dytë, nuk ka qenë kurrë një gjë e sigurt.

Unë jam një njeri që besoj te puna që bëj dhe e di që mund ta ndihmoj këtë skuadër, e di që do të kem mundësitë e mia për të treguar vlerat e mia. Kam shumë besim, pastaj është trajneri që vendos se kush do të jetë titullari. Punoj për të qenë gati dhe për të shfrytëzuar shanset që do të më jepen”, – është shprehur Berisha, i cili në Serinë A ka mbrojtur edhe portën e Lacios dhe të Atalantës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




