Një fitore bindëse ndaj San Marinos, 5-0, me Strakoshën spectator pa biletë, por edhe një faleminderit për Herri Kejn me shokë, që nuk lejuan Poloninë të fitonte. Shqipëria ngjitet në kuotën e 12 pikëve në Grupin I dhe merr vendin e dytë, duke parakaluar polakët. Botërori i Katarit nuk është thjesht një ëndërr për kuqezinjtë, por një objektiv real. Ndeshjet e mbetura janë vendimtare.
Kuqezinjtë zbritën në fushë me ndryshime në formacion, në krahasim me dy ndeshjet e mëparshme. Strakosha në portë, Mihaj në mbrojtje dhe Laçi në mesfushë ishin lëvizjet e Rejës, ndërsa Bajrami, në ndeshjen e dytë si titullar, luajti pas dyshes Manaj-Uzuni. Skuadra jonë e mbylli menjëherë në gjsmëfushën e tij San Marinon, duke krijuar dhe humbur raste me Kumbullën, Uzunin, Bajramin dhe Manajn. Dhe ishte pikërisht lojtari i Specias që do të zhbllokonte rezultatin.
Duhej të vinte minuta e 32-të për të parë golin e parë. Manaj, ul mirë një top në zonë dhe e dërgon në rrjetë. VAR-i konfirmon se nuk ka prekje me dorë dhe 1-0. Më pas Manaj e dërgon topin edhe dy herë të tjera në rrjetë, por golat anulohen për pozicion jashtë loje të sulmuesit kuqezi.
Pjesa e dytë ka nisur me dy ndërrime te Shqipëria, ku në fushë hyjnë Roshi dhe Broja për Trashin dhe Bajramin. Kuqezinjtë shtojnë sulmet dhe goditjet drejt portës. Në një të tillë Qazim Laçi dyfishon rezultatin dhe ky është goli i parë me Kombëtaren për mesfushorin dibran. Brenda 10 minutash skuadra jonë realizon edhe 2 gola të tjerë me Brojën dhe Hysajn, duke e çuar rezultatin në 4-0.
Laçi i lë vendin Ramadanit, ndërkohë në “Elbasan Arena” ka ovacione, pasi Anglia ka shënuar në Poloni. E gjithë skuadra luan për Uzunin dhe Broja heq dorë nga dopieta për t’i shërbyer beratasit një gol të sigurt me portën bosh. Shqipëria udhëheq 5-0 dhe Uzuni ndërrohet me Çokajn menjëherë pas golit. Në fund ndonjë rast i shpërdoruar dhe festa e ligjshme për vendin e dytë në grup pas 6 ndeshjesh. Ka ende rrugë, por mundësitë e Shqipërisë për të shkuar në Katar janë reale.
Shqipëri-San Marino 5-0
Shënues: Manaj 32’, Laçi 58’, Broja 61’, Hysaj 68’, Uzuni 80’
Shqipëria: Strakosha, Mihaj, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj (Doka), Trashi (Roshi), Bare, Laçi (Ramadani), Bajrami (Broja), Uzuni (Çokaj), Manaj. Trajner: Reja
San Marino: Benedetini, Broli, Fabri, Manuel Batistini, Palaci, Gandoni, Hirsh, Tomazini, Golinuçi, A.Golinuçi, Nani. Trajner: Varela
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




