Shendet

Ekspertët britanikë gjejnë “vaksinën” kundër kolesterolit

Ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar kanë miratuar një medikament të ri që mendohet se do të ndihmojë shumë në luftën kundër kolesterolit. Ilaçi quhet “inclisiran” dhe merret me anë të injeksionit. Sipas ekspertëve çdo shtet duhet ta miratojë sepse rrit aftësinë e mëlçisë për të zvogëluar nivelet e kolesterolit lipoproteinik me densitet të ulët (LDL), i njohur si kolesteroli “i keq”..
Provat e fazës 3 të një studimi global të udhëhequr nga ekspertët e shëndetit në Kolegjin “Imperial” Londër treguan se inclisiran uli nivelet e kolesterolit deri në 50%.
Pse inclisiran konsiderohet si “vaksina” e kolesterolit.
Inclisiran është trajtimi i parë që përdor ndërhyrjen e ARN -së për të ndihmuar trupin të largojë kolesterolin e dëmshëm nga qarkullimi i gjakut. E bën këtë duke ndikuar tek një gjen i quajtur PCSK9, i cili udhëzon trupin të prodhojë një proteinë që ndihmon në rregullimin e sasisë së kolesterolit në gjak. Duke ndikuar në këtë gjen, inclisiran ndihmon mëlçinë të thithë më shumë kolesterol LDL nga gjaku dhe ta shpërbëjë atë. Inclisiran gjithashtu mund të jetë një opsion i përshtatshëm, efektiv për njerëzit që nuk kanë parë ulje të niveleve të kolesterolit me ilaçe të tjera.
Nilesh Samani, drejtori i Fondacionit Britanik të Zemrës tha se shpreson që shumë shpejt ilaçi për shkatërrimin e kolesterolit të bëhet i disponueshëm për të gjithë botën.
“Nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar shkallën e plotë të përfitimeve të tij, por unë parashikoj që në të ardhmen, do të miratohet gjithashtu për të ulur kolesterolin për një grup shumë më të gjerë njerëzish për të parandaluar sëmundjet kadrdiovaskulare,”shtoi ai.
Burimi: MedicalNews/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë