Politike

Alibeaj: Rama refuzon vettingun, ndan pasurinë me krimin e organizuar

Enkelejd Alibeaj, Nënkryetari i Komisionit Kuvendor të Ligjeve ka shpalosur fakte të reja në lidhje me kompanitë e basteve që sipas tij zotëron vëllai i Ministrit të brendshëm Xhafaj. Alibeaj në një dalje publike ka deklaruar se kompania e bixhozit të vëllait të Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj dhjetëfishoi të ardhurat nga 1 milionë dollarë në 10 milionë dollarë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës.

“Nga 1 milionë dollarë ne vitin 2014 të ardhurat e kompanisë së basteve të vëllait të Ministrit të Brendshëm janë dhjetëfishuar në 4 vjet, duke shkuar në 10 milionë dollarë në vitin 2017. Është kjo pasuri marramendëse që ndan me krimin e organizuar, e cila detyron Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën të refuzojnë vettingun e politikanëve. Edi Rama ka frikë të pranojë për vete të njëjtat standarde si për gjyqtarët, prokurorët dhe policët, sepse kryeministri i Shqipërisë është peng i krimit të organizuar.”- është shprehur demokrati Alibeaj.

Më herët, Partia Demokratike njohu publikun me disa fakte që sipas saj, Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të marrë nën kontroll industrinë e bixhozit nëpërmjet vëllezërv të tyre Olsi Rama dhe Agron Xhafaj.

Në konferencën e mëparshme Alibeaj dhe deputetja Jorida Tabaku thanë se Edi Rama, me firmën e tij, i dha të vëllait koncesionin korruptiv prej miliona eurosh të monitorimit të sistemit online të pikave të basteve, të cila, gjatë qeëverisë së Edi Ramës, u katërfishuan që fitimet e të vëllait të jenë edhe më të mëdha. 

Sipas PD-së, gjatë qeverisë së Edi Ramës numri i kompanive të licensuara për bastet u përqendrua në 3 duar dhe 1 nga 3 kompanitë më të fuqishme të basteve në Shqipëri zotërohet nga Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në krim të organizuar .

Alibeaj ka deklaruar se Ecobet, Baste live, Eurolive, Basti shqiptar, të gjitha këto kompani zotërohen nga kompania prapa së cilës qëndron vëllai i Minitrit të Brendshëm. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë