Fatjon Rupi – Fitorja me Hungarinë ishte shumë e rëndësishme për Kombëtaren kuqezi, për objektivin e saj në këto eliminatore të Botërorit, por edhe për të ardhmen. Shqipëria mban vendin e tretë në Grupin I, pra është brenda objektivit, por edhe më e rëndësishme është që niveli i lojës premton për një skuadër më kompetitive. Ai 90-minutësh në “Elbasan Arena”, i finalizuar me golin e mrekullueshëm të Brojës, dha edhe disa mesazhe të qarta.
Faktori Bajrami
Është folur shumë për Nedim Bajramin, për të cilin trajneri Reja dhe FSHF luftuan fort për ta pasur në skuadër, duke fituar edhe betejën ligjore me FIFA-n. Dhe vërtet lojtari i Empolit është i nevojshëm, për të mos thënë i domosdoshëm, për Shqipërinë. Me atë që u pa ndaj Hungarisë, edhe pse ishte ndeshja e parë me fanellën kuqezi, Bajrami ia doli të lidhte shumë mirë mesfushën me sulmin, duke qenë “hallka” që mungonte prej vitesh në “zinxhirin” e Kombëtares. Lojtar inteligjent, me fantazi, që di ta përkëdhelë topin, të filtrojë topa për sulmuesit, të kalojë kundërshtarin një për një dhe të godasë portën. Ishte pjesa e fundit që mungonte në “puzzle”-n e formacionit kuqezi.

Mungesat të papërfillshme, një “sms” senatorëve
Deri pak kohë më parë, nëse do të mungonin tre titullarë, trajneri i Kombëtares, cilido të ishte ai, do të bëhej me dhimbje koke. Ndaj Hungarisë mungonin tre titullarë, zëvendëskapiteni Hysaj, Bare dhe Manaj, të tre titullarë të padiskutueshëm në skuadrën e Rejës. Realisht, mungesa e tyre nuk u ndje, madje fare.
Pa mohuar aspak vlerat e këtyre lojtarëve, ndeshja e fundit vërtetoi se askush nuk është i pazëvendësueshëm te Shqipëria, pasi alternativat në stol janë shumë të mira. Loja dhe fitorja me Hungarinë ishin pra një mesazh i qartë për të gjithë ata që mendojnë se e kanë vendin të sigurt dhe që marrin më shumë përgjegjësi se sa u takon.

Një përgjigje dhe Xhakës e Balliut
Grupi i futbollistëve është i kompletuar, me çdo rol të dubluar dhe me të gjithë me shanse të barabarta për të luajtur. Përfundimisht, ishte një përgjigje edhe për lojtarë si Taulant Xhaka dhe Ivan Balliu, të cilët vendosën klubin para Kombëtares, apo interesin e tyre personal, duke refuzuar grumbullimin e fundit me justifikimin e gjendjes fizike. Tashmë është e qartë se atyre dhe çdo lojtari tjetër që bën “numra”, nuk ka pse t’i çohet ftesë.
Rritja e Uzunit, Laçit dhe Brojës
Përveç disa lojtarëve që e kanë treguar gjithmonë veten me fanellën kuqezi, si portieri Berisha, mbrojtësit Gjimshiti e Ismajli, si dhe Klaus Gjasula, i cili ishte ndër më të mirët në të dyja ndeshjet e fundit, ndaj Hungarisë u konstatua qartë rritja profesionale e Uzunit, Laçit, Brojës, por edhe e Dokës.

Uzuni luajti një ndeshje shumë të mirë, u duk më lojtar skuadre këtë herë, duke sakrifikuar edhe me kthimet prapa dhe duke hequr dorë nga veprimet individuale. Ka shumë për t’i dhënë Kombëtares dhe me kalimin e mundshëm në një kampionat më elitar se ai hungarez, sigurisht që do të jetë më i rëndësishëm për kuqezinjtë.
Laçi, edhe pse luajti si zëvendësues, u bë protagonist me shumë topa të fituar, me energjinë e pashtershme dhe me disa pasime të zgjuara, që më parë nuk i ka pasur, Një vlerë e shtuar edhe ai. Broja pastaj është nga ata lojtarë që do të shenjojnë të ardhmen e Kombëtares. Me ikjen e Balajt dhe Cikalleshit, qendra e sulmit do të jetë në duart e tij. Golin e parë të rëndësishëm e shënoi dhe kjo do ta ndihmojë edhe në aspektin moral. Edhe ai është në rritje të vazhdueshme dhe minutat që do të ketë në Premier Ligë do ta modelojnë edhe më mirë për Kombëtaren.

Edhe Doka shfaqi një formë të mirë, sidomos në aspektin fizik, por në disa raste e teproi me mbajtjen e topit, një defekt që mund të eliminohet. Me boshtin e mëparshëm, me këta lojtarë të rinj në rritje, pa harruar edhe të tjerë elementë premtues, si Muçi dhe Mitaj, Shqipëria me siguri do të ketë një të ardhme më të mirë dhe në eliminatoret e Europianit të ardhshëm mund të hyjë “e blinduar”, me apo pa Rejën në stol.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




