Kombetarja

Bajrami u bashkohet kuqezinjve në stërvitje, Muçi dhe Mitaj kalojnë te Shpresat

Humbja në Poloni e ka trazuar jo pak atmosferën në kampin kuqezi, ku një ditë pas asaj disfate ka mbizotëruar heshtja. Drejtuesit e ekipit vendosën të shmangnin edhe konferencën për shtyp, duke dashur që lojtarët të përqendrohen te sfida e së dielës me Hungarinë, që zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Për këtë ndeshje do të jetë gati edhe Nedim Bajrami, i cili është bashkuar me skuadrën në stërvitjen e zhvilluar sot pasdite në Durrës. Bajrami pritet të bëjë debutimin me fanellën kuqezi ndaj Hungarisë, duke zbutuar pak dhimbjen e kokës së trajnerit Reja, pas mungesave të Hysajt, Manajt, Bares dhe Gjasulës, të cilët u ndëshkuan me karton në Varshavë.

Dy nga futbollistët e grumbulluar nga Reja, Ernest Muçi dhe Mario Mitaj, janë bashkuar me Kombëtaren U-21, që luan ndaj Çekisë për eliminatoret e Europianit. Të dy këta lojtarë mbetën jashtë 18-shes ndaj Polonisë, ashtu si dhe Broja, që pritet të ketë minuta ndaj Hungarisë. Kuqezinjtë kanë edhe një seancë në dispozicion për të përgatitur sfidën e së dielës, ku vetëm fitorja bën punë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë