Të fitosh, apo edhe të barazosh në fushën e një kundërshtari më të fortë, që ka në përbërje lojtarë kalibri si Levandovski, duhet të bësh ndeshjen perfekte, ose thuajse perfekte. Shqipëria nuk e bëri këtë në Varshavë dhe trajneri Reja ka përgjegjësitë e veta. Po ashtu, edhe arbitrimi ndikoi, duke mos dhënë atë penallti në favor të Manajt.
Ajo që ishte e përbashkët në gjykimet e specialistëve të futbollit pas ndeshjes, – përveç ish-trajnerit të Kombëtrares Astrit Hafizi, që si gjithmonë është marrë me Rejën, – ka të bëjë me kritikat për sjelljen në fushë të disa prej lojtarëve më të rëndësishëm të formacionit kuqezi. Vetë trajneri Reja e pohoi indirekt këtë gjë, Gjimshiti po ashtu, kurse Shkëlqim Muça, Skënder Gega dhe Redi Jupi folën më konkretisht.

“Nuk e kuptoj pse ky lojtar e mban kaq shumë topin dhe e humb. Pse komplikojmë kështu situatat?” – theksoi Muça gjatë ndeshjes, duke iu referuar Kedi Bares, i cili zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta me fanellën kuqezi. “Bare dhe Manaj e lënë topin pa vërshëllyer arbitri, kjo nuk është aspak profesionale në një nivel të tillë”, – u shpreh Redi Jupi, opinionist dhe ish-lojtar i Kombëtares.
Skënder Gega, ish-trajner i Partizanit dhe Kombëtares U-21, kritikoi hapur mbrojtjen dhe Hysajn: “Nuk mund të pësosh gola të tillë, është mungesë përqendrimi dhe joprofesionale. Nuk mund të përgjumet mbrojtja në atë mënyrë, është e pafalshme. Hysaj është një lider, por nuk mund ta marrë atë karton në mesfushë pasi humb topin dhe të mungojë në ndeshjen e radhës”.
Detajet bëjnë diferencën në ndeshje të tilla. Kuqezinjtë në momente të caktuara luajtën si të barabartë me Poloninë, krijuan raste shënimi, por bënë edhe gabime të pafalshme, me humbje topi në zona të rrezikshme, veprime që në futbollin profesionst janë të pafalshme. Radhën e ka Hungaria tashmë dhe Reja, pavarësisht mungesave, duhet të fitojë, sepse në të kundërt mund të rrezikojë seriozisht vendin e punës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




