Kombetarja

Video/ Shqipërinë e lë në baltë mbrojtja, Polonia shënon sa herë shkon në zonë

Zgjedhja e trajnerit Reja për t’i luajtur ballazi Polonisë në fushën e saj ka rezultuar e gabuar. Shqipëria ka humbur 4-1 në Varshavë dhe tashmë, pas 4 ndeshjeve të para në grup duhet të ndryshojë objektiv, sepse as vendin e dytë nuk mund ta kapë. Anglia dhe Polonia janë të pakapshëm.

Katër gola të pësuar në një ndeshje janë shumë për një skuadër, që pretendohet se mbrojtjen e ka pikën më të fortë. Mbrojtja ka bërë ndeshjen më të dobët, por edhe mesfusha pati jo pak probleme në qendër. Sigurisht, trajneri Reja mban përgjegjësi direkt për humbjen dhe strategjinë e lojës, ashtu si dhe për lënien në tribunë të Brojës. Italiani nuk bëri asnjë ndryshim nga formacioni, me të cilin kishte luajtur në Ligën e Kombeve, me Cikalleshin dhe Manajn në sulm.

Skuadra jonë e nis shumë keq ndeshjen, nervoze dhe e spostuar shumë përpara, duke bërë presing lart, por kjo strategji i kushtoi një karton të verdhë Bares, Abrashit dhe Hysajt që në 10 minutat e para, duke kushtëzuar kështu lojën e tyre më pas. Levandovski realizoi me kokë në portën e Berishës, pasi i shpëtoi mbulimit të Ismajlit. Loja mori një kthesë në favor të kuqezinjve, të cilët shtuan sulmet dhe barazuan me të zakonshmit Cikalleshi, i cili mposhti Sheznin me një diagonal shumë të vështirë brenda zonës.

Kuqezinjtë u goditën në momentin më të mirë. Pas një krosi në zonë, Buksa shënoi me kokë dhe kaloi Poloninë në avantazh. Në pjesën e dytë, Levandovski tregoi vlerat e një sulmueis kalibri, kaloi Kumbullën dhe Berishën e më pas pasoi për Krushovjak, që shënoi golin e tretë mes tre mbrojtësve tanë. Kombëtarja jonë u përpoq të rifutej në lojë dhe shtyu më shumë përpara. Manaj u rrëzua në zonën polake, por në vend të penalltisë sulmuesi kuqezi mori një karton të verdhë nga arbitri italian. Një rast flagrant, që as u pa në VAR.

Trajneri Reja bëri disa ndryshime në fundin e ndeshjes, duke hedhur në fushë Roshin në vend të Trashit, Balajn në vend të Manajt, Çekiçin në vend të Abrashit dhe Uzunin në vend të Cikalleshit. Por sërish ata që shënuan ishin polakët, që vulosën rezultatin në 4-1. Pas pak ditësh është Hungaria, ku do të mungojnë Hysaj dhe Manaj, por pritet të debutojë Bajrami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë