Kur u hodh shorti i eliminatoreve të Botërorit, Polonia dhe Hungaria u konsideruan si rivalët e Shqipërisë për vendin e tretë në grup dhe të dytin në rastin më të mirë. Anglia as që llogaritet. Dhe ja ku vjen prova e parë e vërtetë për kuqezinjtë dhe trajnerin Reja. Mbrëmjen e sotme, Shqipëria do të zbresë në fushë me misionin për të dalë me pikë nga stadiumi i Varshavës.
Pozitiv është fakti se thuajse të gjithë futbollistët vijnë në formën më të mirë për këtë ndeshje, madje trajneri italian është vënë jo pak në vështirësi për të zgjedhur titullarët e sulmit. Nëse do të ishte edhe Nedim Bajrami i gatshëm, do të ishte edhe më mirë, por për këtë ndeshje trajneri Reja duhet t’i bëjë llogaritë pa të. Nga sa është parë në seancën e fundit stërvitore, ai ka vendosur të hedhë në fushë nga minuta e parë formacionin e “besnikëve” të tij.
Në portë do të jetë Berisha, me shiritin e kapitenit në krah. Edhe për mbrojtjen nuk ka dilema, treshja do të përbëhet nga Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti. Hysaj është i sigurt në linjën e djathtë, kurse në të majtën pritet të luajë Trashi. Bare, Gjasula dhe me shumë mundësi Abrashi, do të jenë në qendër të mesfushës.
Në sulm mendohet të jetë dyshja më e preferuar e trajnerit italian, Cikalleshi-Manaj, edhe pse Broja dhe Uzuni e kanë vënë në mendime të parin e stafit teknik të kuqezinjve. Ndoshta për dy të fundit do të ketë minuta në pjesën e dytë, më tepër Reja beson te përvoja e Cikalleshit dhe forma e mirë e Manajt. Për më tepër, kjo dyshe është konsoliduar gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Berisha
Ismajli Kumbulla Gjimshiti
Hysaj Bare Gjasula Abrashi Trashi
Cikalleshi Manaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




