Politike

Shqipëria u kontaktua nga organizata e fondacione për të strehuar afganët

Qeveria shqiptare u kontaktua fillimisht nga organizata, fondacione dhe shoqata të shoqërisë civile amerikane për të parë mundësinë e strehimit të refugjatëve afganë dhe më pas ka hyrë në lojë qeveria amerikane.

Disa detaje të negociatave të zhvilluara i zbuloi Kryeministri Edi Rama, që thotë se Shqipëria u tha menjëherë “Po” këtyre kërkesave.

“Pikë së pari, na u afruan disa organizata, fondacione, një tërësi organizatash të shoqërisë civile përtej oqeanit, në SHBA, përfshi fondacionin “Yalda Hakim” nga ana tjetër dhe thamë menjëherë “po”. Më tej, sigurisht, na e kërkoi qeveria amerikane dhe i thamë menjëherë po”, tha Kryeministri Rama gjatë një intervistë dhënë për BBC Radio.

Kreu i Qeverisë renditi dy arsye se përse Shqipëria nuk ngurroi, ashtu si vendet e tjera. Së pari, tha ai, është se grupi i refugjatëve ka mundësi të kualifikohet për vizë amerikane, që thotë se bën qëndrimin e tyre në Shqipëri të përkohshëm.

Arsyeja e dytë, deklaroi Rama është trashëgimia e shqiptarëve për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë, ashtu siç bënë në Luftën e Dytë Botërore me hebrenjtë.

Ndërkohë, në lidhje me kualifikimin e tyre për vizë amerikane, një artikull i DË publikuar ditën e martë hedh dyshime nëse të gjithë afganët që do të strehohen në Shqipëri do të arrijnë të sigurojnë një vizë të tillë.

Mediat gjermane ngre pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e mundshme të këtij grupi afganësh, që mund të bllokohen në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë