Kombetarja

Video/ Uzuni dhe Doka e konsiderojnë vendimtare Poloninë, besojnë te fitorja

Pas dy lojtarëve me përvojë, si Gjimshiti dhe Gjasula, në konferencë shtypi kanë dalë sot dy të rinj, Myrto Uzuni dhe Albi Doka. Uzuni, i cili po shkëlqen me Ferncvaroshin në Hungari, ka thënë mes të tjerash se Polonia është ndeshje vendimtare dhe fokusi i kuqezinjve duhet të jetë vetëm aty.

“Të gjithë e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve, por jemi të fokusuar 100% te Polonia, nuk mendojmë për dy ndeshjet e tjera. Do të japim maksimumin, pasi futbolli na ka treguar se asnjë kundërshtar nuk është i pamundur. Kur sulmuesit shënojnë, ekipi ka më shumë besim, por nuk varet vetëm nga sulmuesit, varet nga të gjitha repartet. Duhet të jemi të gjithë së bashku dhe për një qëllim.

Personalisht, jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares, është një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh Kombëtaren. Ndihem mirë nëse luaj si në krah, si pas sulmuesit, ose sulmues. Këtë e vendos trajneri. Polonia ka lojtarë të nivelit botëror, është ekip shumë i forte. Normalisht, meritojnë respekt, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoj se mund të luajmë me çdo kundërshtar si të barabartë.

Ne i dimë karakteristikat e çdo lojtari dhe kjo e bën grupin tonë më të fortë dhe më të mirë. Mentaliteti im është ai i fituesit, në çdo ndeshje hyj për të fituar dhe nuk i trembem askujt. Uroj të marrim një fitore dhe kjo na ndihmon për të ecur përpara”, – u shpreh Uzuni.

Në një linjë me sulmuesin berates është edhe Albi Doka, i cili theksoi: “Kemi tri ndeshje, por duhet të fokusohemi te Polonia. Nëse ia dalim në këtë ndeshje, dy të tjerat i kemi në shtëpi dhe do kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Besoj se do të marrim një rezultat të mirë. Kemi kohë si grup dhe jemi grumbulluar edhe më parë. Besoj që mund t’ia dalim me grupin që kemi krijuar.

Polonia është ekipi më i fortë, por ne nuk duhet t’i trembemi. Jam me fat që stërvitem me këta lojtarë. A mund të përsëritë Kombëtarja 2016-ën? E mendojmë me njëri-tjetrin dhe e bisedojmë. Duhet ta ëndërrojmë atë gjë, sepse prandaj jemi këtu, për të arritur atë qëllim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë