Ka shumë mjegullnajë në lidhje me një variant të ri të koronavirusit të zbuluar në Afrikën e Jugut, që duket se është varianti më shumë i ndryshuar në krahasim me variantin origjinal dhe klasifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si “variant për t’u shqetësuar”.
Varianti i ri, i quajtur C.1.2 është zbuluar në një pjesë shumë të vogël të të infektuarve në Afrikën e Jugut dhe ende nuk është hetuar plotësisht si mutacion dhe as si ndikon të organizëm, ndaj antitrupave, apo ndaj vaksinës.
Por çfarë dimë deri më tani? Evolucioni i këtij varianti, quajtur C.1.2 është i detajuar në një publikim të Institutit të Shëndetësisë të Afrikës së Jugut dhe Qendrës Kërkimore KwaZulu-Natal.
Varianti është “pasardhës” i variantit C.1, një prej mutacioneve që dominoi në valët e para të infeksionit në Afrikën e Jugut në maj të vitit të kaluar. C.1.2. u identifikua fillimisht në provincat afrikano-jugore të Mpumalangas dhe Gauteng që në maj të këtij viti.
Që prej kësaj kohe është shfaqur dhe përhapur në pjesën më të madhe të provincave të vendit, si edhe në një grusht shtetesh të tjera, në Afrikë, Azi dhe në Europë, ku rastet e para janë gjetur në Britaninë e Madhe.
Autorët e atyre pak studimeve që janë realizuar deri më tani për këtë variant thonë se janë të shqetësuar për faktin se mutacioni ka ndodhur në një kohë shumë të shpejtë. Ata thonë se për të arritur të ky variant janë dashur 49 deri në 59 mutacione nga virusi origjinal i gjetur për herë të parë në Uhan të Kinës. Kjo e bën atë variantin më të ndryshuar të Covid nga të gjitha variantit që janë të listuara nga OBSH si “shqetësuese”.
Ky virus përmban mutacione që ndikojnë te transmetueshmëria e tij, që do të thotë se ai përhapet ndryshe nga të tjerët, por mbetet për t’u provuar nëse aftësia e tij infektuese do të jetë më e lartë, apo më e ulët se të tjerët. Gjithashtu, mutacionet rrisin aftësinë e këtij virusi për të shmangur antitrupat, por se në çfarë mase sërish mbetet për t’u studiuar.
Richard Lessells një prej specialistëve të sëmundjeve infektive dhe bashkëautor në këtë studim tha për Reuters se C.1.2. mund të ketë më shumë mjete e mekanizam për t’iu shmangur sistemit imunitar edhe se vetë varianti Delta. Këtë deklaratë, Lessells e bëri bazuar te mutacionet që ka parë te virusi, por edhe kjo mbetet për t’u provuar me studime shkencore që kanë nisur tashmë.
Megjithatë, specialisti thotë se njerëzit nuk duhet të shqetësohen shumë për këtë variant, pasi të tjera variante me më shumë mutacione pritet që të zbulohen në vazhdim të pandemisë. Për më tepër, thotë Lessells, C.1.2. ende zë një pjesë të vogël të infektimeve në Afrikën e Jugut, përkatësisht 1 për qind të tyre në qershor dhe 3 për qind në korrik, kundrejt 67 për qind të qershorit dhe 89 për qind të korrikut nga varianti Delta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje