Dy futbollistë të Kombëtares në formacionin më të mirë të javës së dytë të kampionatit në Serinë A. Elseid Hysaj dhe Ardian Ismajli janë përzgjedhur në mbrojtjen me tre lojtarë të këtij formacioni. Ata vijnë në Kombëtare në top-formë, ashtu si dhe Gjimshiti, që luajti 90 minuta ndaj Bolonjës, kurse Kumbulla nuk u aktivizua me Romën.
Ardian Ismajli ishte ndër më të mirët për Empolin në fitoren 0-1 ndaj Juventusit në Torino. “Juventusi hasi vështirësi për të kaluar mbrojtësin shqiptar. Ai largoi shumë topa të krosuar në zonë”, – shkruhet në vlerësimin për Ismajlin, që këtë verë la Specian për të kaluar tek Empoli.

Për paraqitjen e Elseid Hysajt, shkruhet: ”Solid në mbrojtje dhe shpesh aktiv në sulm. Shfrytëzon rastin si një sulmues i pastër dhe shënon golin e 5-të për Lacion, madje mund të shënonte edhe një gol tjetër”. Për shkodranin pritej që të kapte formën, duke qenë se stërvitet sërish nga babai i tij shpirtëror, Mauricio Sarri. Treshja e mbrojtjes në formacionin e javës plotësohet me Kulibali të Napolit.
Lojtarët e tjerë të 11-shes më të mirë të javës së dytë të Serisë A janë portieri Audero i Sampdorias, mesfushorët Luis Alberto i Lacios, Lorenco Pelegrini i Romës, Niko Gonzales i Fiorentinës dhe Brahim Diaz i Milanit, si dhe sulmuesit Oliver Zhiru i Milanit, Çiro Imobile i Lacios dhe Joakin Korrea i Interit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




