Një prej ligjeve që do të kalojë për miratim Parlamenti ri do të jetë ai për rregullimin e basteve dhe lojërave të fatit, të ndaluara prej vitit 2019-t. Gazeta Si mëson se puna për ligjin e ri është ende në fazë fillestare dhe me shumë mundësi do të propozohet për miratim në Kuvend vitin a ardhshëm, ndërkohë që në sirtare ka disa propozime e drafte të hartuara nga grupet e interesit.
Qëllimi i ligjit nuk do të jetë rikthimi i basteve dhe lojërave të fatit në formën dhe numrin që kanë qenë para vitit 2019-t, por digjitalizimi i këtij sektori. Gazeta Si mëson se ka pasur një presion të vazhdueshëm nga grupet e interesit të këtij sektori për rihapjen e tyre, presion që është shtuar pas pandemisë.
Me propozimet e bëra, grupet e interesit thonë se liberalizimi i basteve do të ndihmonte ekonominë dhe zbuste efektet sociale të shkaktuara prej pandemisë, mes tyre edhe papunësinë. Por, ideja e Kryeministrit Edi Rama ndryshon disi nga propozimet e grupeve të interesit.
Rama u pyet gjatë një interviste të dhënë për “Huffington Post Italia” javën e kaluar në lidhje me ndalimin e basteve dhe lojërave të fatit, në një kohë që në Itali po diskutohen disa nisma që prozojnë nga kufizimi i mëtejshëm, deri te ndalimi total i tyre.
“Duhej ta ndërmerrnim si vendim, sepse ishte një murtajë e shpërndarë gjithandej dhe me pasoja të rënda për të rinjtë dhe familjet. Por, interneti ka nxjerrë në pah problemin e informalitetit dhe evazionit. Duhet të gjejmë një mënyrë për ta kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur, pa u kthyer te sallat e mbushura plot me makineri parangrënëse, ku kriminaliteti bën miliarda. Duhet të gjejmë një rrugë për të formalizuar bastet digjitale”, deklaroi Rama.
Ndalohen me ligj, por bastet sportive kanë hyrë në xhep
Mbyllja e pikave fizike të basteve sportive në të gjithë Shqipërinë në 2019-ën nuk ka çrrënjosur fenomenin, madje muajt e fundit është vënë re një shtim i aktivitetit bastvënës përmes faqeve online, që e ofrojnë këtë shërbim edhe përmes një telefoni të thjeshtë inteligjent. Pra, bastet u hoqën nga rruga, por u futën në xhepat e shqiptarëve.
Gazeta “Si” identifikoi një faqe me emrin “HahaSport”. Nëse kërkohet në Google me këtë emër të shfaqen linqe me domeine malazeze (.me), domeine nga Tonga (.to), territoret britanike në Oqeanin Indian (.io) e deri tek domeini .eu që është domien i Bashkimit Europian.
Përmes kësaj videoje, gazeta “Si” ilustron se sa e lehtë është që të hapesh jo vetëm faqen, por edhe llogarinë në një kompani ofruese bastesh. Madje aty gjen edhe mënyrat e rimbushjes, e deri tek kontaktet e kujdesit për klientët. Kontakti telefonik është një numër britanik.
Në momentin që hapet kjo faqe, të ofron automatikisht përmes një njoftimi edhe mundësinë për të instaluar aplikacion bastesh, Android dhe iOS. Në të dyja rastet, instalimi ofrohet përmes dosjeve APK, që anashkalojnë kanalet zyrtare të Google (Play Store) dhe Apple (App Store).
Burime të gazetës “Si” nga krimi kibernetik në Policinë e Shtetit dhe ekspertë të sigurisë kibernetike pohojnë se gjatë muajve të karantinës në pranverë dhe në vazhdim është vënë re një shtim i trafikut tek faqet që ofrojnë baste sportive online, megjithëse edhe kjo formë është e ndaluar më ligj.
Burimet thonë se organizatorët përdorin domaine që ndryshojnë shpesh dhe automatikisht, çka e bën thuajse të pamundur për strukturat ligjzbatuese, si të Policisë së Shtetit, ashtu edhe të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të gjurmojnë dhe bllokojnë ato.
“Janë faqe të vendosura në servera të fshehur dhe IP që ndryshojnë vazhdimisht. Kjo do të thotë se gjurmimi është i kotë, pasi njëherë faqet mund të dalin me IP nga Brazili, pastaj nga Gjermania, apo Qipro e Britania e Madhe. Pra, janë IP të rreme”, thonë burimet.
Ofrimi i IP të rreme për të mbuluar IP reale nuk është një biznes i paligjshëm, madje në shumë vende të botës ofrohet kundrejt pagesave të ligjshme, duke shfrytëzuar parashikimet ligjore në këto vende për të drejtën e privatësisë së qytetarit.
Megjithatë, kjo e drejtë në Shqipëri po përdoret për të tejkaluar lehtësisht të gjitha pengesat teknike që mund të nxjerrë AKEP për të bllokuar bastet online. Nga AKEP thonë se kjo është një betejë e humbur.
“Mund të bllokojmë një IP, pastaj një tjetër, një tjetër, një tjetër e kështu me radhë, por ato shfaqen sërish pasi bëhet fjalë për një sistem të ndërlikuar ndërkombëtar të ndryshimit automatik të IP. Pra është e pamundur për ne, si përsa u takon burimeve njerëzore, ashtu edhe teknologjike që t’i bllokojmë”, thonë burime të gazetës “Si” nga AKEP.
Si në Policinë e Shtetit, ashtu edhe tek AKEP janë të vetëdijshëm edhe për lehtësinë me anë të së cilës mund të aksesohen këto faqe. Njëra formë për një vizitor të ri është përmes “Pop up”-eve me linqe që të adresojnë automatikisht në faqe që ofrojnë shërbimin e basteve. Linqet zakonisht gjenden në platformat apo faqet që ofrojnë transmetim online të ndeshjeve të futbollit në mënyrë pirate.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.