Kombetarja

Ditë vendimtare për Bajramin, FSHF dhe Reja presin “Ok”-in e FIFA-s

Nedim Bajrami do t’i bënte shumë punë Kombëtares sonë, e ka përsëritur disa herë trajneri Edi Reja në konferenca shtypi. Ai e ka ndjekur nga afër mesfushorin fantazist të Empolit, e ka ftuar në grumbullimet kuqezi, por nuk ka mundur të luajë, sepse FIFA nuk e ka lejuar, ngaqë ka luajtur më parë me moshat e Zvicrës, deri tek U-21-shi.

Federata Shqiptare e Futbollit e ka ankimuar çështjen në KAS dhe pasi është zhvilluar së fundi një seancë dëgjimore mes palëve, brenda datës 31 gusht do të merret një vendim përfundimtar, nëse Bajrami do të lejohet të luajë me Shqipërinë, apo jo. Nga FSHF-ja nuk është dhënë asnjë informacion, por mësohet se ka optimizëm për një përgjigje pozitive.

Nedim Bajrami. Gazeta Si, 25 gusht 2021

Nëse FIFA jep “Ok”-in, për Rejën do të ishte një lajm shumë i mirë, sepse Bajrami ka karakteristikat e një lojtari që i mungon skuadrës sonë. Ai ka një vizion shumë të mirë të lojës sulmuese, mund të bëjë lidhjen e mesfushës me sulmin dhe gjithashtu është një lojtar që e njeh mirë portën kundërshtare. Të gjitha këto cilësi do ta bënin atë menjëherë titullar në formacionin kuqezi, pas sulmuesit kryesor, ose pas dyshes sulmuese.

Shqipëria luan tri ndeshje të rëndësishme në muajin shtator, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Kuqezinjtë shkojnë në Poloni më 2 shtator, pastaj presin Hungarinë dhe San Marinon në Elbasan. Nëse do të ishte i gatshëm edhe Bajrami, do të ishte një plus i madh për stafin teknik. Fantazisti ka spikatur me Empolin ndaj Lacios në ndeshjen e parë në Serinë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë