Certifikata digjitale e vaksinimit kundër COVID është në funksionim brenda BE nga 1 korriku. Vendet anëtare të Bashkimit Europian e njohin këtë certifikatë dhe qytetarët e pajisur me të mund të udhëtojnë të lirë. Por vendet e Ballkanit kanë qenë të përjashtuara deri më tani. Para dy ditësh BE futi në sistemin e saj edhe certifikatat digjitale të lëshuara nga Maqedonia e Veriut, Turqia dhe Ukraina. Anasjelltas këto vende do të njohin certifikatat digjitale të vendeve të BE. Kosova ka pasur një specifikë, sepse ka dhënë për qytetarët e saj vetëm vaksinat e njohura nga BE. Shqipëria, e cila ka përdorur si vaksinën kineze, por edhe ato të njohura nga BE si BioNTech apo AstraZeneca nuk është ende pjesë e sistemit të certifikatës digjitale COVID të BE. Por kjo pritet të ndryshojë së shpejti.
Një zëdhënëse e Komisionit Europian, i tha Deutsche Welles, se BE që nga fillimi i pandemisë, ka qenë e angazhuar, që vendet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si partnerë të privilegjuar përmes afrimit me mekanizmat e Unionit dhe instrumentat e luftimit të pandemisë. “Ne presim që vendet e Ballkanit të lidhen me sistemin tonë. Po mbajmë me të gjitha vendet takime të verifikimit të mundësive dhe procesi është në vazhdim, presim që së shpejti të shohim vende të tjera të futen në sistem. Jemi të kënaqur që BE është përcaktuese trendi në këtë drejtim dhe lidere teknologjike”. (DW)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje