Opozita e bojkotoi sërish seancën e kësaj të enjte, ndërsa Basha këtë herë edhe me Kryemadhin në krah, mblodhën “parlamentin” e tyre në qytetin e Durrësit. Kryedemokrati foli për aksionin opozitar, vettingun politik, teatrin dhe kumarin.
Lulzim Basha i ka dhënë një ultimatum kryetarit të Kuvendit që të botojë projektligjin e opozitës për vettingun në politikë. Ai tha se Ruçi nuk e ka botuar projektligjin e PD-së në faqen zyrtare të Kuvendit. Ndërsa pak çaste pas kësaj deklarate, nisma e PD u botua.
“Gramoz Ruçi refuzon të botojë në faqen e Kuvendit projektligjin e propozuar me nënshkrimin e të gjithë deputetëve të opozitës për vettingun e politikanëve. Nxitojnë të fusin ligjin Rama-Fusha dhe vjedhjen e pasurive të shqiptarëve, por e përdorin Kuvendin si ‘kuplara’ personale të Ramës duke refuzuar një detyrim ligjor, transparencën. Politikanët t’i nënshtrohen vettingut, si gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Kërkesën e mbështet çdo shqiptar. Heshtja dhe sulmet ndaj dekriminalizmit të mëtejshëm të opozitës, e nxorën lakuriq Ramën dhe deputetët e tij. I jap këtë ultimatum Ruçit, mos u sill si pronar kuplaraje, por boto online propozimin ta shohin shqiptarët dhe të shikojnë projektligjin”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati Basha gjithashtu e vuri theksin te lojërat e fatit.
“Sot, Kuvendi do të hedhë poshtë dekretin e Presidentit për kumarin. 23% taksë paguajnë bizneset e ndershme, ndërsa për lojërat e fatit taksa ulet. Erdhën me bujë dhe thanë se do t’i mbyllin lojërat e fatit, por janë shtuar. Pyesni Agron Xhafajn dhe Olsi Ramën pse ka ndodhur kjo. Duke nisur që nesër, PD do të publikojë fakte tronditëse për të treguar se Rama dhe Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të ndihmuar bandat që të marrin në dorë lojërat e fatit dhe për t’i përdorur për pastrimin e parave të kokainës dhe heroinës”, tha Basha.
Më tej, kreu i PD-së u shpreh se kryeministri Edi Rama “po fshihet” prej 5 ditësh në Nju Jork për një arsye të caktuar: “Rama ndodhet në Nju Jork për të vjedhur territorin e Konsullatës Shqiptare atje, pasi do të ngrejë një grataçelë”.
Të enjten maxhoranca rrëzoi në Kuvend dekretin e Presidentit që ktheu mbrapsht ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Presidenti Meta e ktheu në Parlament ligjin e miratuar nga shumica, duke e arsyetuar me uljen e barrës fiskale për lojërat e fatit, duke kujtuar se në këtë mënyrë do të stimulohej më shumë kjo industri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




