Sipas studiuesve britanike një sindromë e mpiksjes së gjakut pas dozës së parë të vaksinës Oxford/AstraZeneca, mbart një rrezik të lartë të vdekjes dhe mund të ndodhë në njerëz të rinj dhe të shëndetshëm, edhe pse në raste të rralla. Në personat nën moshën 50 vjeç, mpiksjet e gjakut ndodhin në rreth një në 50,000 njerëz që kanë marrë vaksinën, sipas të dhënave të fundit.
Studiuesit ekzaminuan simptomat, shenjat dhe rezultatet në 220 raste të konfirmuara dhe të mundshme të paraqitura në spitalet në Mbretërinë e Bashkuar midis 22 marsit dhe 6 qershorit.
“Është e rëndësishme të theksohet se ky lloj reagimi ndaj vaksinës së Oksfordit/AstraZeneca është shumë i rrallë,” tha Sue Pavord, hematologe në Universitetin e Oxford dhe autor kryesor i raportit të botuar në revistën “New England Journal of Medicine”
Studiuesit zbuluan se sindroma e quajtur “trombocitopeni imune” e shkaktuar nga vaksina ka prekur 23% të rasteve të analizuara. Rreziku i vdekjes rritet ndjeshëm tek pacientët me numër të ulët të trombociteve.
Studiuesit përcaktuan sëmundjen bazuar në pesë kritere, duke përfshirë shfaqjen e simptomave 5 deri në 30 ditë pas vaksinimit, një numër të ulët të trombociteve dhe praninë e dokumentuar të një mpiksje gjaku.
Në fillim të majit, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) në Britani rekomandoi që personat nën moshën 40 vjeç të mos merrnin vaksinën AstraZeneca edhe pse shkalla e infeksionit të Covid-19 ishte e lartë. Në 220 rastet e konfirmuara në analizë, moshat varionin nga 18 deri në 79 vjeç. Rreth 85% ishin nën moshën 60 vjeç.
“Por kjo nuk do të thotë që vaksina e Oksfordit/AstraZeneca nuk duhet t’u jepet nën moshës 60 vjeç. Nëse ka një përhapje të lartë të Covid, më shumë njerëz ka të ngjarë të përfundojnë të infektuar dhe në kujdes kritik dhe nëse ata janë mbi 60 vjeç, më shumë gjasa të vdesin. Në atë rast, ka kuptim t’i jepet Oxford/AstraZeneca të gjithëve. Por kur ka një përhapje më të ulët të Covid, një kufi moshe do të ishte i përshtatshëm,” tha Pavord.
Ekspertja shtoi se përdorimi i vaksinës duhet të lidhet me transmetueshmërinë e infeksionit.
Burimi:The Guardian/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



