Shendet

Studimi: Pacientët që izolohen para operacionit mund të zhvillojnë probleme me mushkëritë

Sipas një hulumtimi të fundit, pacientët që izolohen para operacionit (kryesisht për të shmangur COVID-19 dhe komplikimet e tij) janë në të vërtetë në një rrezik prej 20% të zhvillimit të komplikimeve postoperative të mushkërive në krahasim me pacientët që nuk izolohen. Kjo shkon plotësisht kundër udhëzimit aktual i cili urdhëron izolimin para operacioneve.
Studimi u krye nga Universiteti i Birminghamit i udhëhequr nga GlobalSurg-COVID-Surg Collaborative, një organizatë globale ku janë pjesëmarrës 15,000 kirurgë, që punojnë së bashku për të mbledhur të dhëna mbi pandeminë e COVID-19.
Një total prej 96,454 pacientësh nga mbi 1,600 spitale në 114 vende u përfshinë në këtë analizë dhe 26,948 (28%) pacientë ishin izoluar para operacionit. Pacientët që u izoluan para operacionit ishin më të vjetër, kishin më shumë sëmundje shoqëruese të frymëmarrjes dhe ishin më shpeshtë nga zonat me incidencë të lartë të SARS-CoV-2. Shkalla e komplikimeve pulmonare pas operacionit u rrit gjithashtu me periudhat e izolimit.
Këto gjetje vinin nga mjedise të ndryshme pavarësisht nëse ekzistonin apo jo strategji të tjera mbrojtëse (teste para operacionit dhe rrugë pa COVID), duke treguar se pavarësisht nga ato strategji të tjera, izolimi para operacionit nuk duket se mbron pacientët kirurgjikalë nga komplikime operative pulmonare ose vdekje.

Foto ilustruese

Duke parë arsyet e mundshme për këto gjetje të papritura, një nga autorët kryesorë të studimit, Aneel Bhangu, nga Instituti Kombëtar i Kërkimit të Shëndetit (NIHR), i udhëhequr nga Universiteti i Birmingham thotë se izolimi mund të nënkuptojë që pacientët të zvogëlojnë aktivitetin e tyre fizik, të kenë zakone më të këqija ushqyese dhe të vuajnë nga ankthi dhe depresioni. Këto efekte në pacientët tashmë të cenueshëm mund të kenë kontribuar në një rritje të rrezikut të komplikimeve pulmonare. Për më tepër, ka prova që tregojnë se rehabilitimi para operacionit përmirëson rimëkëmbjen dhe rezultatet e pacientit.
Bashkë autorja e studimit Joana Simoes, një studiuese në Njësinë e Kërkimit Global të Shëndetit të Universitetit të Birminghamit, shton se provat tregojnë se heqja e strategjive të izolimit para operacionit nuk ka gjasa të çojë në rezultate më të këqija pas operacionit për pacientët. Ajo shprehet se institucionet duhet të monitorojnë shkallën e tyre të ndërlikimeve pulmonare pas operacionit.
Autorët megjithatë paralajmërojnë se studimi nuk merr parasysh rrezikun e transmetimit të SARS-CoV-2 nga pacientët te pacientët e tjerë dhe personeli në spital.
“Përfitimet e izolimit para operacionit nuk janë vetëm për pacientin individual, por edhe për pacientët e tjerë dhe stafin në spitale të cilët janë në rrezik nga bartësit asimptomatikë të SARS-CoV-2,”shpjegojnë ekspertët.
Ata shtuan se ndryshimi i politikave të izolimit para operacionit duket të jetë i sigurt për pacientët, veçanërisht në prani të testimit para operacionit, ku edhe studimet e mëparshme treguan se ishin të dobishme./The Indipendent/


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë