Ngjarje

Flakët “djegin” lejet e policëve, shoqërohen dhjetra të dyshuar si zjarrvënës

Emergjenca e krijuar për shkak të zjarreve, por edhe situata e përgjithshme e sigurisë rrugore dhe e rendit publik kanë pezulluar përkohësisht lejet vjetore të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Burime të gazetasi.al thonë se urdhri për të mos dhënë leje deri në një vendim të dytë u është komunikuar jozyrtarisht drejtuesve të policisë në 12 qarqet e vendit që në mes të muajit korrik. Burimet thonë se ky vendim do të qëndrojë në fuqi të paktën deri në normalizimin e situatës së shkaktuar nga zjarret dhe përmbylljes së sezonit turistik.

Ndërkohë, në lidhje me zjarret drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë “ngarkuar” strukturat në varësi me detyrën që të angazhohen më shumë në terren në identifikimin dhe ndalimin e personave të dyshuar si autorë të tyre.

Gazetasi.al mëson se dhjetra persona janë shoqëruar nga policia në Dibër, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër dhe Shkodër. Por, burimet thonë se akuza e zjarrëvënies së qëllimshme mund të provohet vetëm për një numër të vogël të personave të shoqëruar, ndërsa për pjesën më të madhe të tyre për shkak të terreneve ku janë shfaqur vatrat e zjarreve është e vështirë të gjendet autorësia e tyre.

Për zjarrëvënie të qëllimshme, madje edhe të paguar nga grupe të caktuara flet edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

“Sapo fikim një vatër ndodh aktivizimi i një zjarri tjetër që të lë të kuptosh se këto janë të qëllimshme. Është një terren aq i madh sa është e vështirtë të mbikëqyrësh të gjithë pyjet dhe hapësirën. Terreni njihet më mirë nga banorët dhe ata që kanë qëllime kriminale për t’i vënë zjarrin, të cilët paguhen nga qarqe të caktuara”, deklaroi Çako nga Kukësi në një intervistë për Report TV.

Kreu i Emergjencave thotë se vatra në tunelin e Kalimashit është vënë nën kontroll, ndërkohë që problematike janë flakët në Malzi dhe në vendin e njohur si Laku i Thive, ku rrezikohen edhe banesat. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e zhvendosjes së banorëve nga këto zona për të shmangur tragjeditë.

Ndërkohë, situata duket e përmirësuar disi këtë të martë për shkak të mungesës së erës, që në ditët e mëparshme ka favorizuar përhapjen e flakëve nga veriu në jug të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë