Komunitet

Baret e restorantet në Shqipëri pro idesë për të pranuar vetëm qytetarët e vaksinuar

Është lënë hapur mundësia se edhe në Shqipëri njësoj si në Kosovë, qytetarëve mund t’u kërkohet një dozë vaksine minimalisht, për të hyrë në kafene, klube nate, dasma etj.

Kryetari i Shoqatës së Bar-Restoranteve, Enri Jahaj, u shpreh për Gazetasi.al se e njëjta zgjidhje do të ishte mirë të vihej në funksion  edhe në vendin tonë.

Jahaj përmendi dhe faktin se më herët klubet e natës kanë kërkuar që të bëheshin ambjent i procesit të vaksinimit për qytetarët.

Momentalisht sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë vaksinuar 1.238.036 qytetarë, gjysma e të cilëve kanë marrë dy doza vaksine. Rrjedhimisht masa e klientëve mund të reduktohet, por sipas z.Jahaj dëmi tashmë është bërë me kohë. “Mjafton që të hapemi plotësisht”, thekson ai.

Shqipëria përveç orës policore, nuk ka asnjë kufizim tjetër anti-Covid, paralelisht me fushatat sensibilizuese për vaksinimin.

NJë ditë më parë në Kosovë u vendos që për të shkuar në dasma, klube nate dhe qendra tregtare, qytetarët duhet të jenë të vaksinuar.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, -thuhet në njoftimin nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë.

Stafi i punonjësve të këtyre sektorëve duhet të jetë i vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës, deri më 12 gusht.

Bëhet e ditur se është diskutuar edhe zgjatja e orarit për klubet e natës. “Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë