Drejtësia

Rikthehet çështja “Tahiri”, në 28 shtator seanca e parë në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë ka vendosur që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, të dalin para gjykatës në 28 shtator ora 10:00.

Si ish-ministri, ashtu edhe ish-polici, kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, për kthimin e çështjes së tyre për rigjykim.

Sipas vendimit të Apelit, çështja e tyre duhet të rihetohet dhe rigjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, duke rrëzuar dhe vendimin që kjo gjykatë kishte parë duke dënuar Tahirin për shpërdorim detyre.

Edhe akuzat e ngritura nga Prokuroria janë rrëzuar dhe kjo çështje do të duhet të hetohet nga fillimi dhe të gjykohet nga një tjetër trupë gjyqësore.

Sajmir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar mbjelljen e kanabisit në qarkun e Vlorës dhe se kanë lidhje me grupin “Habilaj”.

Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar ish-ministrin Tahiri me 5 vite heqje lirie, por ky vendim është konvertuar në shërbim prove për 3 vite, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Për Tahirin, dikur krahu i djathtë i kryeministrit Rama, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vite burg.

Prokuroria e akuzoi ish-ministrin për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”, ndërkohë që Gjykata e dënoi për një akuzë që nuk ishte ngritur zyrtarisht nga prokuroria.

Tahirit i është ndaluar gjithashtu për tre vite marrja e posteve publike, dhe për këtë ai bëri rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë.

Edhe Çela, kërkon rrëzimin e vendimit të Krimeve të Rënda që e dënuan atë me 3 vite dhe 4 muaj burg, por me ndryshim nga ish-ministri i Brendshëm, ish-drejtori duhet t’i vuajë ato në burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë