Në deklaratën e bërë para qindra serbëve në sheshin qendror të Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Vuçiç i tha të gjitha. Ai foli për paqen, por e mbylli me luftën.
Presidenti serb u rikthye në vitet më të errta të ish-Jugosllavisë, pikërisht në periudhën e Sllobodan Millosheviçit, që nga të gjithë njihet si “Kasapi i Ballkanit”, por jo nga serbët.
Vuçiç, i vetëdijshëm se nacionalizmi ekstrem ekziston ende i përhapur në përmasa të mëdha mes serbëve, sidomos tek ata që jetojnë ende në Veri të Kosovës nuk e qortoi hapur Millosheviçin, por as ta lëvdonte hapur nuk e bëri.
“Millosheviçi ishte një udhëheqës i mirë, por që bëri gabime”, deklaroi ai ndër të tjera.
Kur iu referua Millosheviçit përmendi edhe qytetin e Kninit. Aktualisht ky qytet është pjesë e Kroacisë dhe në luftën e kësaj të fundit pas shpalljes së pavarësisë, ishte kryeqendra e rezistencës serbe.
“Të gjithë e dinë që Knini nuk ka qenë ndonjëherë qytet kroat. Por, sot është një qytet tërësisht kroat”, tha ai, duke nënkuptuar se Serbia nuk mund të lejonte që pjesa veriore e Mitrovicës të kishte të njëjtin fat.
Deklarata ka ngjallur reagime në Kroaci. Kryeministrja Jadranka Kosor përmes disa postimeve në rrjetet sociale e ka kritikuar ashpër.
“I njëjti person që u prit me nderime në Kroaci pa kërkuar falje për ndihmën që i ka dhënë Millosheviçit, guxon dhe ofendon viktimat e regjimit të tij. Vuçiç tha se Knini nuk ka qenë kurrë kroat. Për mua do ta tërhiqja menjëherë ambasadorin nga Beogradi për këtë deklaratë”, shkruan ajo.
Politikani Dejan Joviç tha se fjalimi i Vuçiçit në Mitrovicë ishte i sëmurë, luftënxitës dhe që të kujton plagët e së shkuarës. Ai thotë se në Mitrovicë, Vuçiçi ishte njeriu i shekullit të kaluar, ku bashkë me Millosheviçin dhe të tjerët shkaktuan mijëra të vdekur dhe shumë më shumë të plagosur e të zhvendosur.
Knini ishte kryeqendra e Republikës Serbe të Krajinës, e shpallur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga ana e Kroacisë. Kjo lëvizje e serbëve nuk u njoh asnjëherë ndërkombëtarisht. Jetëgjatësia e kësaj republike zgjati deri në vitin 1995, kur kroatët shtypën rezistencën serb në operacionin e famshëm “Stuhia”, të udhëhequr në atë kohë nga Ante Gotovina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.