Futboll

Video/ Sebino Plaku zgjon Teutën në Europë, dopietë e çmuar për kualifikimin

Me sa duket, Teuta kishte nevojë për kontributin e çmuar të një Plaku (Sebinos) për të gjetur veten në Europë. Sulmuesi veteran, i hedhur në fushë nga minuta e parë nga trajneri Edi Martini, ishte protagonist absolut në fitoren e sotme, 0-3. Ai e ka shpëtuar skuadrën durrsake nga turpi i një eliminimi të mundshëm nga Inter Eskaldes, një kundërshtar modest nga Andorra, që në “Niko Dovana” një javë më parë kishte fituar 0-2.

Plaku kaloi Teutën në avantazh në pjesën e parë, duke i hapur rrugën kualifikimit. Ai devijoi drejt rrjetës një top të krosuar në zonë nga e majta prej Kotobellit. Goli i dytë i sulmuesit kryeqytetas ishte fenomenal. Ai goditi menjëherë nga distanca një top të kthyer nga mbrojtja, duke i dhënë një trajektore të pakapshme për portierin e Inter Eskaldes.

Për kualifikimin u deshën 30 minutat shtesë dhe në fundin e pjesës së parë shtesë Sherif Kallaku realizoi me panallti golin e tretë për Teutën. Këta ishin golat e parë të Teutës në Europë në 4 ndeshje të luajtura deri tani. Durrsakët vazhdojnë kështu aventurën europiane, duke kaluar në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ku do të ndeshen me irlandezët e Shamrok Rovers.

Të enjten zbresin në fushë Partizani, Vllaznia dhe Laçi po në Ligën e Konferencës. Vetëm kurbinasit kanë marrë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, ku mundën 1-0 rumunët e Krajovës. Partizani është mundur 3-0 nga Bazeli, kurse Vllaznia 1-0 nga Ael Limasol.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë