Varianti Delta i virusit Covid-19, por rrit rastet me shpejtësi në çdo vend që ka mbërritur. Shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj u shpreh se ky variant do të mbizotërojë mbi të gjitha mutacionet dhe ka 3 variante. Mjeku theksoi se pavarësisht konfirmimit të rasteve të para është vënë re se deri më tani ky variant nuk po tregon agresivitet të madh.
“Varianti po tregon se ata që kanë kryer vaksinën nuk po përfundojnë në spital. Periudha e inkubacionit është 2-3 ditë më e vogël se varianti i mëparshëm,” u shpreh Brataj.
Në varësi të kësaj eksperti i shëndetësisë në ISHP Alban Ylli dhe mjeku infeksionist Tritan Kalo thanë për Gazetasi.al se nuk ka rekomandime për trajtime të veçanta për këtë variant dhe se përdoret i njëjti mjekim si për mutacionet e tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë varianti është përhapur në 125 vende të ndryshme në mbarë botën. E njohur gjithashtu si B.1.617.2, varianti u identifikua për herë të parë në Indi në fund të vitit 2020. Ekspertët kanë shpjeguar gjithashtu se vaksinat mbeten shumë efektive në parandalimin e sëmundjes serioze dhe shtrimin në spital.

Në fundjave mjeku infeksionist Tritan Kalo përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” shpjegoi se simptomat e variantit Delta kishin pak ndryshim nga variantet e tjera. Sipas tij ky variant ishte i ngjashëm dhe me virozat 3-5 ditore dhe prandaj është tepër i nevojshëm tamponi.
Simptomat e variantit janë: temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kyçesh, gjendje letargjie, dhimbje barku të shoqëruara me të përziera ose të vjella e heqje barku. Ai tha se edhe personeli i Qendrave Mjekësore në zonat e pushimeve dhe jo vetëm, duhet të rrisin vigjilencën epidemiologjike ndaj të sëmurëve me shenjat e mësipërme që ata/ato vizitojnë.

Sa ngjitës është varianti Delta?
Shkencëtarët e huaj ende po studiojnë virusin dhe nuk kanë një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje. Sipas ekspertëve të shëndetit publik në Britani varianti është nga 40% deri në 80% më infektive sesa Alpha. Studiuesit në Kinë raportuan në korrik se njerëzit e infektuar me variantin Delta kishin rreth 1000 herë më shumë grimca virale në traktet e tyre të frymëmarrjes sesa ata me llojin origjinal. Studiuesit gjithashtu raportuan se njerëzit infektohen më shpejt.
Nëse jeni të vaksinuar, por infektoheni me variantin Delta, sa ka mundësi të përhapni virusin?
Studiuesit thonë se kjo është një nga pyetjet më urgjente në lidhje me Delta-n, por ende nuk ka të dhëna përfundimtare. Shumë studiues thonë se njerëzit e vaksinuar që infektohen nga varianti Delta kanë më pak të ngjarë të transmetojnë Covid-19 tek të tjerët. Sipas ekspertëve faktorët që ndikojnë në transmetim përfshijnë ngarkesën virale të personit të infektuar, por gjithashtu kohëzgjatjen e ekspozimit ndaj një personi tjetër dhe afërsinë e dy individëve.
Në një studim të fundit me rreth 4,000 punonjës të kujdesit shëndetësor në Britani njerëzit që u infektuan me Covid-19 pasi morën një vaksinë mARN mbartën më pak virus sesa njerëzit e pavaksinuar që u infektuan. Sidoqoftë, studiuesit thonë se për shkak se Delta është shumë infektues mund të jetë edhe më i transmetueshëm, por duhen studime më të hollësishme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje