Politike

Tsipras kërcënon: Mund të bllokojmë negociatat në çdo kohë

Aleksis Tsipras doli para mediave për të folur mbi gjendjen ekonomike të Greqisë dhe për planin e qeverisë që ai drejton për të rritur pagën minimale, si sinjal që vendi kishte hedhur pas krahëve 8 vitet e krizës së thellë financiare. Por, pikërisht në këtë konferencë ai foli më hapur dhe më gjatë se asnjëherë tjetër për bisedimet me Shqipërinë për çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve.

Kryeministri grek pranoi se temat që po diskutohen mes dy vendeve në nivel ministrash të Jashtëm janë të vështira, por vlerëson klimën pozitive, që sipas tij, po karakterizon dialogun. Nuk harron që t’i kujtojë Shqipërisë që rruga për në Bruksel kalon nga Athina.

“Është e qartë që nëse kërkohet që Greqia të mbështesë hapjen e kapitujve të negociatave të integrimit, duhet që të kryhen një sërë reformash dhe premtimesh që ka bërë qeveria shqiptare. Shumë nga këto premtime janë prej viti 2009”, deklaroi ai.

Por cilat janë këto premtime e reforma?

“E kam fjalën për zonat detare nga ana e tyre, e kam fjalën për librat shkollorë dhe ndryshimin e tyre, për varrezat e ushtarëve grekë dhe sidomos për reformat përsa i përket të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”, saktësoi Kryeministri grek.

Mesazhi është i qartë; Shqipëria pa arritur një marrëveshje me Greqinë për kufirin detar, pa rishikuar tekstet e librave shkollorë dhe pa reformat, që sipas palës greke, përcaktojnë qartë të drejtat e minoritetit grek, negociatat e anëtarësimit, edhe nëse hapen në qershor, rrezikojnë gjatë gjithë kohës që të bllokohen nga Athina.

Kryeministri grek ceku edhe çështjen çame. Ai konfirmoi qëndrimin e Athinës zyrtare, se për të kjo çështje nuk ekziston.

“Disa përpiqen të fusin nga dritarja çështjen çame. Nuk ekziston kjo çështje dhe do të thosha se është për të mirën tonë, që në këto tema të ketë më shumë qartësi, pasi në çështje serioze kombëtare duhet të ketë informim, dakordësi dhe besim”, tha Tsipras.

Tsipras rrëzoi si të rreme të gjitha lajmet që flasin se mes dy vendeve, veç kufirit detar po diskutohet edhe ai tokës.

“Dëgjohen shumë zëra, disa prej tyre nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, si pastrimi dhe mirëmbajtja e piramidave në kufirin tokësor. Disa thanë se ka të bëjë me një përcaktim të rinj të kufijve, por ky proces nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë”, thotë ai.

Greqia është një prej pesë vendeve anëtare të Bashkimit Europian që nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Mundësia që njohja të mbërrijë pa një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit duke e zbehtë. Tsipras e konfirmoi këtë.

“Ne ndjekim nga afër zhvillimet dhe bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht nëse ka një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës që do te jepte vizionin e një zgjidhjeje, ne do ta përgëzonim këtë marrëveshje”, ka shtuar Aleksis Tsipras.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë