Policia e Durrësit jep detaje për kokainën e kapur sot në Port, në një kontejner bananesh i ardhur nga Ekuadori. Në pranga ka rënë menaxheri i firmës ku do mbërrinte kontenieri dhe është shpallur në kërkim administratori i saj.
Policia thotë se si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në pjesën e motorit të frigoriferit u gjetën 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë 11 kg e 675 gr.
Në pranga ka përfunduar shtetasi Barjon Gumeni, 34 vjeç, banues në Tiranë (menaxheri i firmës ku do mbërrinte kontenieri), si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 50 vjeç, banues në Tiranë (administratori i firmës).
Policia thotë se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Kokaina e kapur këtë të martë, është e të njëjtës linjë me atë të cilën kanë mbërritur më herët edhe ngarkesa të tjera. Afërsisht një muaj më parë, në kontejnerët me banane në Durrës, u kapën mbi 320 kilogramë kokainë e pastër, që do të kalonte nga Shqipëria drejt Napolit. Ndërkohë që u prangos shoferi 40-vjeçar i mjetit, me shtetësi të Maqedonisë së Veriut, Nazif Ajrofski.
Në fillim të muajit prill, në portin e Durrësit, u kapën rreth 140 kilogramë kokainë, sërish e fshehur në një kontejner me banane nga Ekuadori. Kokaina u gjet po në një konteinier të mbushur me banane për llogari të kompanisë shqiptare ‘Masabi Fruits’ me seli në Kombinat të Tiranës, në anijen ‘Dance’ që u nis nga Ekuadori. Pakot e kokainës kishin të stampuar foton e Pablo Eskobar, narko-trafikantit kolumbian si dhe shënimet “El mejor” (më e mira) dhe “Viejon” (i moshuari) dhe ishin të mbështjella me natriban kaf dhe të zi. Për ngarkesën, policia arrestoi në flagrancë dy ortakët e kompanisë ‘Masabi Fruits’, Klajdi Xibrakun dhe Erion Petin.
Ndërsa më 1 prill, në portin e Durrësit u kap një tjetër sasi më e vogël, 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një kontejnier me banane në pronësi të Selim Çekaj, babai i Arbën Çekaj, ky i fundit i dënuar me 14 vite burg për sasinë 613 kg kokainë në 2018. Të dy ndodhen aktualisht në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




