Ka ndodhur

Mjekët sërish në protestë: Po na trajtojnë si kriminelë, jo në burg pa prova

Për të dytën ditë radhazi, mjekët e Spitalit të Traumës, kanë vijuar protestën kundër arrestimit të dy mjekëve, Serdi Meminit dhe Ervin Sulajt, të cilët akuzohen për korrupsion, pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës.

Edhe këtë të premte, mjekët thanë se arrestimi i kolegëve të tyre është i padrejtë, duke e cilësuar shkelje të integritetit për bluzat e bardha masën e sigurisë “arrest me burg”, deri në përfundimin e plotë të hetimit.

Ata kërkojnë që mjekët mos trajtohen si kriminelë, por të hetohen në gjendje të lirë, duke iu referuar rastit të Velipojës. Sipas tyre zgjidhje për të gjitha rastet e evidentuara të korrupsionit në vend nuk është burgosja, por duhet të ketë një reformë rrënjësore.

“Drejtësia po kalon cakun e të drejtave qytetare e njerëzore, të mos bëhet gjyq popullor për mjekët. Deri në gjetjen e provave, mjekët nuk duhet të qëndrojnë në një ambient me kriminelët”, – u shprehën ata.

Sipas tyre, problem në shërbimin shëndetësor është sistemi dhe se zgjidhja nuk është kjo mënyrë. Ata theksuan se duhet autonomi spitalore.

“Mjekët janë të terrorizuar, – u shpreh infeksionisti Gent Stroni, i solidarizuar me kolegët e tij, – të gjithë janë të frikësuar nga situata. Nuk jemi dakord për aktin e mitmarrjes, por duhet të provohet akuza e ngritur ndaj tyre. Duhet të mendohet në mënyrë globale për aktin e mitmarrjes, e njëjta gjë ndodhi edhe me mjekun edvin prifti”.

Kirurgu ortoped Serdi Memini dhe anestezisti Ervin Sulaj u arrestuan pasi dyshohet se morën ryshfet nga babai i Elmilind Dylit, që mbeti i plagosur në masakrën e Velipojës javën e kaluar.

Mjekëve iu gjetën gjatë kontrollit 377 mijë Lekë të reja dhe 55 euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë