Ndërsa vala e tretë e pandemisë po zë vend në të gjithë Anglinë për shkak të variantit të shfrenuar të “Delta”-s, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka planifikuar të rihapë vendin, duke hequr efektivisht pothuajse të gjitha kufizimet më 19 korrik 2021, në atë që është pagëzuar si Dita e Lirisë.
Pavarësisht nga ky vendim, e sigurt është që infeksionet do të rriten (deri në 50,000 në ditë brenda dy javësh, tha Boris Johnson), por kjo nuk ka rëndësi sepse vaksinat kanë “thyer lidhjen midis infeksionit dhe vdekshmërisë”.
Vendimi i qeverisë britanike, megjithatë, u përshkrua si “i rrezikshëm dhe i parakohshëm” nga një grup prej 122 ekspertësh botërorë (shumë prej tyre britanikë), të cilët shkruan një letër, publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”, duke i kërkuar kryeministrin britanik të vonojë rihapjen e planifikuar për në korrik.
Heqja e kufizimeve, shkruajnë ekspertët, rrezikon të shkaktojë miliona infeksione dhe të zgjojë probleme kronike dhe paaftësi në lidhje me “long Covid” tek pacientët.
Përfundimi i pandemisë përmes imunitetit të popullatës, kërkon një numër të mjaftueshëm të njerëzve të imunizuar ndaj Sars-CoV-2, por imuniteti i popullsisë nuk ka gjasa të arrihet deri më 19 korrik dhe masa të tjera proporcionale të zbutjes, do të jenë të nevojshme për të shmangur qindra mijëra infeksione të reja, deri sa njerëzit të vaksinohen.
“Sidoqoftë, – paralajmërojnë shkencëtarët, – qëllimi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, për të zbutur kufizimet, duke filluar nga 19 korrik 2021, do të thotë që imuniteti do të merret me vaksinim për disa njerëz, por edhe me infeksion natyror për të tjerët (kryesisht të rinjtë)”.
Ndërkohë, ekzistojnë pesë arsye kryesore pse strategjia e zgjedhur nga qeveria konsiderohet e rrezikshme.
Fëmijët e prekur
1-“Së pari, një transmetim i pazbatuar, do të ndikojë mbi të gjithë tek fëmijët dhe të rinjtë e pavaksinuar, të cilët tashmë kanë vuajtur shumë, – shkruajnë ekspertët në letër, ku si firmë e parë, është Deepti Gurdasani, i Universitetit Queen Mary.
Shifrat zyrtare të qeverisë britanike, tregojnë se që nga 4 korriku 2021, 51% e popullsisë totale është vaksinuar plotësisht dhe 68% është vaksinuar pjesërisht. Edhe duke supozuar se rreth 20% e njerëzve të pavaksinuar janë të mbrojtur nga një infeksion i mëparshëm, më shumë se 17 milionë qytetarë do të mbeten të pambrojtur kundër Covid-19.
“Për shkak të transmetueshmërisë së lartë të variantit “Delta”, rritja eksponenciale e infeksioneve do të vazhdojë derisa miliona njerëz të infektohen dhe qindra mijëra njerëz të tjerë do të kenë probleme afatgjata.
Kjo strategji rrezikon krijimin e një brezi me probleme shëndetësore kronike dhe aftësi të kufizuara për dekada”.
Shkollat
2- Shkalla e lartë e transmetimit në shkolla dhe tek fëmijët, do të çojë në probleme të konsiderueshme nga pikëpamja e arsimit. “Lënia e transmetimit gjatë verës, do të krijojë një rezervuar infeksioni, i cili ka të ngjarë të përshpejtojë përhapjen kur shkollat dhe universitetet të rihapen në vjeshtë.”
Si pasojë, do të ketë mbyllje të reja të shkollave nëse vaksinimet nuk përfundojnë për grupmoshat për të cilat është aprovuar vaksina dhe nuk vendosen të gjitha masat e mundshme për të mbajtur të ulët transmetimin e virusit në komunitet.
Variantet rezistente ndaj vaksinës
3 -Vlerësimet paraprake, sugjerojnë se kjo strategji mund të sigurojë terren pjellor për shfaqjen e varianteve rezistente ndaj vaksinës. Kjo do t’i vinte të gjithë, përfshirë qytetarët tashmë të vaksinuar, në rrezik në Angli dhe në të gjithë botën. Megjithëse vaksinat mund të përditësohen, kjo kërkon kohë dhe ndërkohë popullata botërore do të ekspozohej, veçanërisht vendet me pak akses në vaksina.
Ndikimi në shërbimin shëndetësor
4- Kjo strategji do të ketë një ndikim të rëndësishëm në shërbimet e raskapitura shëndetësore dhe punonjësit që nuk janë shëruar ende nga valët e mëparshme. “Lidhja midis rasteve dhe pranimeve në spital, nuk është prishur dhe rritja e numrit të infeksioneve do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një rritje të pranimeve në spital, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi shërbimin shëndetësor në një kohë kur miliona njerëz janë duke pritur për procedurat mjekësore dhe kujdes rutinë”.
Komunitetet e pafavorshme
5 -Meqenëse komunitetet më të pafavorizuara janë më të rrezikuara nga Covid-19, këto politika do të vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë disproporcionale tek njerëzit më të rrezikuar.
Vaksinimi, thekson letra, ofron mundësinë e arritjes së imunitetit të komunitetit edhe pa pasur dhjetëra mijëra raste për shkak të rihapjes.
“Ne besojmë, se çdo strategji që toleron nivele të larta të infeksionit është joetike dhe e palogjikshme. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, duhet të rishikojë strategjinë e saj aktuale dhe të ndërmarrë hapa urgjentë për të mbrojtur publikun, përfshirë fëmijët. Ne besojmë se qeveria po fillon një eksperiment të rrezikshëm dhe të pamoralshëm dhe ne e nxisim atë të pezullojë planet për të braktisur zbutjet në 19 korrik 2021″.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje