Në një operacion kombëtar për goditjen e lojërave të fatit, ndërsa luhej gjysmëfinalja e dytë e Europianit Danimarkë-Angli, janë arrestuar 35 persona.
Në operacionin policor, të koduar “Gjysmëfinalja”, i zhvilluar në 12 qarqe të vendit, gjatë mbrëmjes së të mërkurës, u përfshinë 1.100 punonjës policie.
Policia bën me dije se në të gjithë vendin janë kontrolluar 656 ambiente në të cilat dyshohej se mund të ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit, kryesisht në fushën e basteve.
Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 35 persona, konkretisht 19 persona në Tiranë, 6 persona në Vlorë, 5 në Shkodër, 2 në Durrës, 1 në Bulqizë, 1 në Fier e 1 në Korçë.
Po ashtu mësohet se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 18 persona, konkretisht 5 persona në Korçë, 3 në Tiranë, 3 në Shkodër, 2 në Vlorë, 2 në Berat, 1 në Elbasan, 1 në Mat dhe 1 në Fier.
Policia sqaron se ka sekuestruar dhe 15 kompujtera, 5 makineta për lojëra fati, 16 tableta që shërbenin për vënie bastesh, 8 tavolina pokeri, 15 DVR, 41 aparate celular, 5 milionë lekë dhe prova të tjera materiale, të cilat shërbimin për ushtrimin e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

















