Ka ndodhur

Vrau gruan me thikë, arrestohet në spital 51-vjeçari

Artan Ismalaja, i cili akuzohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij të hënën, Klarita Ismailajan, është arrestuar. Burime policore shprehen se 51-vjeçarit i janë vënë prangat në ambientet e spitalit.

Ismalaja u dërgua një ditë më parë në spital, sepse tentoi të vrasë veten menjëherë pasi masakroi gruan me thikë, duke i shkaktuar vdekjen. Ngjarja  e rëndë ndodhi paraditen e të hënës, pranë një magazine të Bubqit në Fushë Krujë.

Çifti jetonte prej vitesh në Tiranë, ndërsa Artani kishte një servis kamerash dhe kompjuterësh tek ish-stacioni i Trenit në kryeqytet.

Për të shmangur dëshmitarët, dyshohet se ai e ka futur makinën në një zonë të vështirë në fshatin Bubq për të ndaluar brenda një muri rrethues, që i përket një fasonerie.

Fqinjët e çiftit shprehen se kohët e fundit mes tyre kishte pasur debate dhe konflikte.

Ishin punëtorët e fabrikës që dhanë alarmin dhe informuan policinë e Krujës që nga ana tjetër thotë se po punon për të zbuluar motivin që i kushtoi jetën një tjetër gruaje. Çifti Ismailaja kishte dy fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë