Ka ndodhur

Berat, ndezën zjarr në malin e Tomorit për të mbledhur bimë mjekësore

Dy persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë vënë nën hetim si autorë të dyshuar të zjarrvënies në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit.

Sipas policisë, shtetasit Bardhyl Murati 50 vjeç, Elton Topi 32 vjeç, si dhe B.C., 41 vjeç, F.M., 44 vjeç dhe P.Sh., 30 vjeç, të gjithë banues në Lybeshë, Poliçan, kanë ndezur zjarr gjatë kohës që kanë qenë duke mbledhur bimë mjekësore në malin e Tomorit.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe prej 10 ha pyll me pisha.

Të hënën, dita edhe kur u shfaq vatra e parë e zjarrit, ushtria mbërriti në mal për të ndërhyrë, por terreni i vështirë shkëmbor e ka bërë të pamundur shuarjen e flakëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat, apelon për të gjithë banorët dhe për barinjtë që në asnjë rast të mos ndezin zjarr dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë