Politike

8 të vdekur brenda dy ditëve, Rama paralajmëron “furtunë” në polici

Kryeministri Edi Rama thotë se në fund të verës ishte planifikuar ristrukturimi i Policisë së Shtetit për t’u përshtatur më mirë në lidhje me sfidat e sigurisë. Por, 8 të vdekur brenda dy ditëve e kanë përshpejtuar këtë proces.

Rama ka thirrur në mbledhje urgjente në Vlorë ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.

“Kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë për të mos humbur kohë për të lancuar sa më shpejt një fazë të re të ristrukturimit që është përgatitur, por që për arsye të mirëkuptueshme është momenti që të përshpejtohet për disa javë dhe të mos presim fundin e verës”, deklaroi Rama para gazetarëve.

Mbetet për t’u mësuar pas kësaj mbledhje ndoshta se sa të thella do të jenë këto ndryshime dhe a do të shkojnë ato deri te kreu i Policisë së Shtetit, apo vetë ministri i Brendshëm.

Ajo që dihet është se zhvillimet pasojnë aksidentin tragjik të ndodhur në aksin Fier-Vlorë, ku shpejtësia tej mase mbi normat e lejuara e një të riu shkaktoi vdekjen e një familjeje me katër anëtarë nga Patosi.

Ngjarja e dytë e rëndë është ajo e ndodhur në mesnatën mes të shtunës dhe të dielës në Velipojë, ku nga përplasja me armë zjarri e të paktën 6 personave mbetën të vdekur katër prej tyre dh u plagosën dy të tjerë.

Në rastin e aksidentit, policia ka arrestuar të riun Igli Madani, ndërsa për vrasjet e Velipojës ka shoqëruar 20 persona dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë