Politike

Zgjedhjet e 30 qershorit, reagon Kushtetuesja: Këshillimi me “Venecian”, i nevojshëm

Gjykata Kushtetuese, ka sqaruar polemikat që shkaktoi vendimi i saj për t’i kërkuar ndihmë Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.

Në një reagim për shtyp, Gjykata Kushtetuese është e shqetësuar për ato që i cilëson si keqinterpretime dhe keqinformim në lidhje me vendimin në fjalë.

Kushtetuesja sqaron se vendimi është i ndërmjetëm dhe mbështet “nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.

Kushtetuesja shpjegon se objekti për të cilin u vendos të kërkohet ky opinion, është i ndryshëm nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias. Sipas saj, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument.

“Çështja mbi procesin zgjedhor të datës 30.06.2019 është e një natyre unike dhe këshillimi me organe të specializuara u konsiderua i nevojshëm nga kjo Gjykatë”, - thuhet në reagim.

Mes të tjerash, Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit, jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, “mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike, për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, - thuhet në fund të njoftimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë