Politike

Kushtetuesja i drejtohet për opinion, por Venecia ka folur për 30 qershorin

Gjykata Kushtetuese vendosi që t’i drejtohet për mendim Komisionit të Venecias në lidhje me çështjen e zgjedhjeve vendore të 2019-ës. Por, më shumë se sa nevojë për ndihmë dhe ekspertizë më të specializuar juridike për këtë çështje, ky vendim i Kushtetueses tingëllon si përpjekje për të hequr, apo shpërndarë përgjegjësinë e vendimmarrjes për një çështje shumë të ndjeshme politike.

Kjo pasi Venecia është shprehur njëherë për këto zgjedhje në raportin e dorëzuar në Shqipëri në tetor të vitit të 2019-s. Në atë opinion thuhej se anulimi i zgjedhjeve vendore, siç Presidenti Ilir Meta e bëri me dekret 20 ditë para mbajtjes së tyre mund të ndodhë vetëm në kushtet e një situate emergjente dhe me një bazë të fortë ligjore.

Në të njëjtin raport, Venecia i qëndron doktrinës juridike europiane në të njëjtën linjë të një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, që thotë se zgjedhjet vendore nuk mund të anulohet për shkak se ato bojkotohen nga partitë politike, pavarësisht peshës elektorale që këto parti kanë.

“Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”, deklaronte Venecia.

Ky rekomandim i Komisionit është në të njëjtën linjë me një vendim të hershëm të Gjykatës së Strasburgut. Në praktikën gjyqësore dhe interpretimet që kjo gjykatë i ka bërë artikullit 3 të Konventës është vendosur standardi që ky rregull nuk zbatohet për zgjedhjet për pushtetin vendor, siç ishin ato të 30 qershorit në Shqipëri, por vetëm për zgjedhjet për pushtet qendror.

Aplikimi i Artikullit 3, Protokolli 1 i Konventës vetëm për zgjedhjet për pushtetin qendror, pra zgjedhje legjislative është vendosur si standard që prej 2 marsit të vitit 1987 në çështjen “Mathieu-Mohin dhe Clerfayt kundër Belgjikës”.

“Artikulli 3 (P1-3) zbatohet vetëm për zgjedhjet e “legjislaturës”, ose të paktën për një nga dhomat e Parlamenteve që janë me dy dhoma, ose më shumë. “Legjislaturë” nuk do të thotë domosdoshmërisht Parlamenti, por duhet të interpretohet sipas strukturës kushtetutese të shtetit përkatës”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit, sipas të cilit Gjykata e Strasburgut rrëzonte padinë e aplikuesve.

Pas këtij rasti, paditë e tjera që pasuan me të njëjtin objekt, pra për shkelje të Artikullit 3, Protokolli 1 të Konventës për të Drejtat e Njeriut u rrëzuan njëra pas tjetrës. Një e tillë është edhe ajo e “Salleras Llinares kundër Spanjës” në maj të vitit 1999. Luis Salleras Llinares pretendonte shkelje të këtij artikulli pasi për shkak të burokracive nuk kishte regjistruar dot në kohë listën e partisë së tij me kandidatët për këshilltarë bashkie në rajonin Cadaques.

Këtë praktikë Strasburgu e arsyeton me natyrën e pushtetit vendor, si pushteti më i afërt, që u ofron shërbimet jetike bazë qytetarëve dhe kompetencat e të zgjedhurve të tij, që në gjykimin e Strasburgut nuk mund të kërcënojnë një sistem demokratik qendror dhe as mund të shkelin parimin e të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Pra, në lidhje me anulimin e zgjedhjeve dhe me bojkotin e tyre nga ana e opozitës, Venecia është shprehur njëherë. Mbetet për t’u mësuar se çfarë do të kërkojë konkretisht ndryshe nga këto dy çështje Gjykata Kushtetuese.

Kjo e fundit, në vendimin e marrë për pezullimin e Gjykimit u ka dhënë palëve të përfshira në këtë proces të drejtën që të hartojnë nga një pyetje për t’u adresuar në Venecia. I gjithë procesi duket se më shumë do të shtyjë në kohë vendimmarrjen, që me gjasë mund të shkojë deri në fund të këtij viti.

Venecia mblidhet në sesion plenar në fillim të muajit korrik, që do të thotë se kërkesa e Gjykatës Kushtetuese shqiptare për këtë çështje nuk do të jetë në rend të ditës. Pas marrjes së kërkesës nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, procedura e Komisionit përcakton nisjen e një grupi ekspertize në terren.

Më pas, ky grup do të hartojë një raport që duhet të kalojë në sesion plenar të Venecias për të marrë statusin e një opinioni zyrtar të Komisionit. Sesioni i radhës plenar i Venecias, pas korrikut nuk ka një datë të përcaktuar ende, por tradicionalisht këto sesione zhvillohet në fund të vjeshtës, ose në gjysmën e parë të muajit dhjetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë