Dy vrasje në 24 orë të ndodhura në Kurbin sosën durimin edhe të deputetit socialist të këtij qarku, Gjetan Gjetani. Ky i fundit reagoi përmes rrjeteve sociale duke akuzuar strukturat vendore të Policisë së Shtetit si të paafta, të korruptuara dhe ordinere.
“Ngjarjet e fundit të ndodhura në Kurbin, më kanë shqetësuar shumë duke bërë që në Kurbin mos të ndjehemi të sigurtë. Eksploziv, kërcënim me armë dhe vrasja e dy të rinjve tregon që policia është hallkë shtetërore shumë e paaftë. Kjo tregon se në Kurbin kanë sjellë oficera dhe drejtues policie të paaftë, të korruptuar dhe ordinera”, shkruante ai.
Thotë se nuk do ta lërë me kaq këtë temë. Shqetësimin do ta ngrejë në Kuvend dhe në rast se nuk reagohet do t’u drejtohet qytetarëve që të dalin në protestë, pa dallime politike.
“Si deputet i kësaj zone kam pas ankesa të shumta nga qytetarët, të cilat do t’i bëj publike në Parlament. Brenda muajit shtator do të kërkoj interpelancë me ministrin e Brendshëm dhe nëse nuk do të marrë masa për pastrimin e Komisariatit të policisë Kurbin, unë i pari do të ngrihem në protestë, duke kërkuar mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kurbinit, pa marrë parasysh ngjyrat politike”, thotë deputeti socialist.
Nëse do të ngrejë këto shqetësime në Parlament, Gjetan Gjetani do ta bëjë këtë si deputet i pavarur. Ai nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e kësaj të premteje të Asamblesë së PS-së, por emri iu lakua nga Kryeministri Edi Rama.
“Deputeti i Kurbinit duhet të përjashtohet nga Partia Socialiste”, tha ai.
Kryeministri thotë se shqetësimi i Gjetan Gjetanit nuk është siguria e Kurbinit, por një tjetër.
“Kërkoi që me presion të caktojë shefat e policisë. Bëri shantazh për disa vende pune. Ka bërë mirë që nuk ka ardhur sot, nuk e meriton Partinë Socialiste. Në djall vaftë pushteti ynë nëse duhet të durojmë të tilla sjellje vetëm për numra”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.