Grupimi “Për PD-në” i cilëson vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Partisë Demokratike, ku u vendos që të mbajeh një analizë për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe më 17 korrik të thirrjes Kuvendit Kombëtar i partisë, si përpjekje e Bashës për të “spastruar armiqtë”.
Grupimi, ku bëjnë pjesë emra si Bujar Nishani dhe Edith Harxhi thonë se nuk mund të thirrej Kuvendi Kombëtar i partisë më 17 korrik pa u përmbyllur analiza e humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit, afat për të cilën është vendosur 30 qershori.
“Në vendimin e Kryesisë “Për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Pika II 1 e këtij vendimi flet për informimin e Kuvendit Kombëtar mbi analizën e masakrës zgjedhore të 25 prillit 2021, në një kohë kur po kjo kryesi ka vendosur se analiza mbi zgjedhjet e prillit përfundon në 30 shtator 2021. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar pa mbyllur analizën tregon se qëllimi i vërtetë nuk janë zgjedhjet.”, thuhet në deklaratë.
Për grupimin, Basha është kryetar i minorancës në Partinë Demokratike, që me këto vendime po përpiqet që t’i shpëtojë përgjegjësisë së humbjes dhe t’ja faturojë atë anëtarësisë së partisë.
“Kryetari i rikonfirmuar në minorancë me vetëm 30 mijë vota të anatërësisë së PDSH-së, 25 mijë më pak se në vitin 2017, kërkon të shkarkojë përgjegjësinë e tij për zgjedhjet e 25 prillit 2021, tek anëtarët e thjeshtë të Partisë, Kryetarët e Degëve dhe Degët e PDSH-së, pa bërë transparencë se çfarë ndodhi me garancitë që dha para zgjedhjeve në lidhje me mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë”, vijon deklarata.
Grupi thotë se Basha duhet të ndajë mendjen. “Ose zgjedhjet janë vjedhur, ose nuk janë arritur objektivat nga strukturat e Partisë Demokratike dhe deputetet e listës. Në të kundërt ai duhet të pranojë siç është e udhës përgjegjësitë e tij për këtë humbje”, thotë deklarata.
Zgjedhjet për kryetar partie të 13 qershorit cilësohen si ilegjitime dhe të manipuluara.
“Mungesa e transparencës në vendimarrje dhe vendimet e pabazuara në statut vazhdojnë të jenë problem kryesor i lidershipit të Partisë Demokratike, që menjëherë pas përfundimit të ngjarjes së 13 qershorit 2021 dhe rikonfirmimit të Kryetarit të Partisë pa garë dhe duke hequr nga listat mijëra demokratë kërkon të bëjë fushatën e fundit të spastrimeve në Parti. Ndërprerja e mandatit të Këshillit Kombëtar është i paligjshëm dhe duhet hequr nga rendi i ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar”, vijon deklarata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




