Në disa vende të ndryshme vijon shqetësimi për trombocitet nga vaksina AstraZeneca dhe disa prej tyre e kanë ndaluar këtë vaksinë për moshat nën 60 vjeç.
Por a do të mendohet kjo gjë edhe në vendin tonë?
Dritan Ulqinaku, epidemiolog në Institutin e Shëndetit Publik, shpjegoi për Gazetasi.al se në rast se do të kishte një vendim të unifikuar do të ishte marrë ky vendim edhe në vendin tonë.
“Deri më tani nuk ka një vendim të tillë dhe për më teper në vendin tonë nuk kemi asnjë rast problematik,” shpjegoi eksperti.
Sipas mjekut Alban Ylli, anëtar i Komitetit të Ekspertëve, në një nga mbledhjet e këtij komiteti është rekomanduar një herë mënjanimi i kësaj vaksine nën 30 vjeç. Por asnjë vendim nuk është marrë. Edhe mjeku imunolog Genc Sulçebe, anëtar i Komitetit të Vaksinimit, pohon gjithashtu se deri tani, asnjë vendim nuk është marrë. Gjithsesi Sulçebe shprehet se sugjerimi për të diskutuar ndalimin e AstraZenecës nën një moshë të caktuar, është i drejtë.
Pavarësisht faktit se Agjencia Evropiane e Barnave është shprehur nuk ka rrezik të lartë nga vaksina Astra Zeneca, vende të ndryshme si Britania e Madhe, Italia, Holanda, Gjermania, Danimarka dhe së fundmi Greqia e kanë pezulluar përdorimin e vaksinës nën moshën 60 vjeç.
Ishte Mbretëria e Bashkuar vendi i parë ku u raportua se 7 persona ndërruan jetën për shkak të mpiksjeve të gjakut dhe ishin të vaksinuar me këtë vaksinë.
Gjithashtu Holanda vendosi ndalimin e vaksinës tek personat nën 60 vjeç si masë paraprake pasi në 400,000 persona që kanë marrë vaksinën AstraZeneca 5 raste të moshave të reja kishin pësuar mpiksje gjaku. Pas vendimit të Holandës me këtë vendim vijuan edhe Gjermania e Kanadaja, ku AstraZeenca u ndalua për personat nën 55-vjeç.

Ndërsa në Itali vendimi për ndalimin e kësaj vaksine për personat nën 60 vjeç erdhi pasi një 18 vjeçare ndërroi jetë pak ditë pasi kishte marrë vaksinën AstraZeneca e cila kishte probleme gjenetike me trombocitet. Danimarka e ka ndaluar plotësisht përdorimin e kësaj vaksinë që prej fillimit të vaksinimit në atë vend dhe furnizimin e AstraZenecës e dhuroi për vendet e tjera.
Mpiksja e gjakut një problem që në hapat e para të vaksinimit me AstraZeneca.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Barnave dhe rregullatorët e tjera shëndetësore në vende të ndryshme kanë deklaruar që prej fillimit se përfitimet e kësaj vaksine janë më të mëdha se sa rreziqet.
“Njerëzit vdesin çdo ditë dhe ne kemi më shumë se 300 milionë njerëz në të gjithë botën që janë imunizuar, e që do të vdesin nga shkaqe të tjera”, tha Mariangela Simao, ndihmëse e drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Mars kur vaksina AstraZeneca pati një efekt domino për pezullimin e shpërndarjes së dozave në të gjithë Europën.
Ndërsa MHRA, pra rregullatori i barnave në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar se siguria është gjithmonë e para dhe njerëzit duhet të imunizohen sa më parë për të anashkaluar valët të tjera të Covid-19.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje