Në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, dy ishin fjalët kryesore të përdorura më shpesh prej Edi Ramës në fushatë; “timon” dhe “tepsi”. Me “timon” nënkuptonte marrjen e një rezultati ku të mos kushtëzohej qeverisja nga një tjetër koalicion me LSI-në dhe me “tepsi” i drejtohej administratës, zyrat e së cilës, sipas tij, ishin shndërruar në vende pune për militantët partiakë.
“Timonin” arriti që ta marrë i vetëm dhe mes shumë premtimeve, ishte edhe ai që do ta çonte këtë “tepsi për skrap”.
Socialistët nisën punimet e Asamblesë Kombëtare me raportet e nxjerra nga turi i llogaridhënies me qytetarët, tur që duket se e ka ndihmuar Edi Ramën që të kuptojë se jo gjithçka funksionon ashtu siç duhet brenda partisë së tij dhe se premtimi për të çuar “tepsinë për skrap” po sabotohet edhe nga të tijtë.
“Shumica e drejtuesve të partisë e kanë braktisur detyrën që kanë dhe janë kthyer në ndërmjetësues për punësime. Kjo është e patolerueshme dhe bie ndesh me betimin që unë dhe të gjithë kemi bërë për ta çuar tepsinë për skrap”, deklaroi ai.
Që prej mbledhjes informale të ministrave të kabinetit në Vlorë u ushqye edhe mediatikisht ideja se Kryeministri Edi Rama po parashikonte disa ndryshime të rëndësishme në kabinetin e tij dhe mbledhja e Asamblesë ishte momenti kur do të njoftoheshin këto ndryshime. Por, në këtë Asamble u respektuan 12 pikat e diskutimit dhe asnjëra prej tyre nuk kishte të bënte me Qeverinë.
Pikat, si ajo që udhëzonte nisjen e fushatës me sloganin “E gjithë vëmendja tek Ju” dhe tjetra “Partia Socialiste e hapur për Ty” nënkuptonin qartë se socialistët ndezën motorët e fushatës.
“E gjith vëmendja tek Ju” është slogan i ri i socialistëve si një kundërpërgjigje ndaj akuzave të Partisë Demokratike dhe LSI-së për lidhjen me krimin. Socialistët thonë se akuzat e opozitës janë shpifje dhe strategjia e re e tyre është injorimi i këtyre akuzave dhe përqëndrimi i energjisë tek qytetarët.
Nga vetë slogani i fushatës, “Partia Socialiste e hapur për Ty” bëhet fjalë për një tur takimesh e dëgjesash që synojnë anëtarësime të reja dhe zgjerimin e bazës së anëtarëve të partisë.
Si përfundim, në Asamble u fol shumë për qeverisjen, por jo për qeverinë dhe as për ndryshime në horizont në kabinet. Megjithatë, ndryshime pati, por në përbërjen e grupit parlamentar socialist, që u tkurr me -1 deputet.
“Nuk po e shoh këtu dhe ka bërë shumë mirë që nuk ka ardhur. Deputeti i PS i Kurbinit duhet përjashtuar nga PS. Nuk ka bërë asnjë punë, por ka shantazhuar dhe ka bërë presion dhe kërkon ekskluzivet të vendosë shefa policie në Kurbin, e më pas del e flet kundër punës së Policisë së Shtetit. Ai nuk duhet të jetë më deputet i PS”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij.
I referohej deputetit të qarkut të Kurbinit, Gjetan Gjetani. Ky i fundit kishte akuzuar drejtuesit e policisë si ta paaftë, të korruptuar dhe ordinerë pas dy vrasjeve të ndodhura në këtë zonë në harkun kohor të 24 orëve.
Kryeministri pati pakënaqësi edhe ndaj kryebashkiakëve socialistë, të cilëve u kujtoi se nuk e kanë të garantuar rikandidimin. Test për ta do të jetë edhe platforma e qeverisë për ankesat e qytetarëve.
“Llogaridhënien duhet ta bëjnë edhe të gjithë kryetarët e bashkive. Aty do të kuptohet nëse PS e ka ende kryetarin e bashkisë për betejë, apo të gjejë një tjetër. Kryetarët e bashkive të PS nuk u përgjigjen ankesave të platformës. Të gjithë ata që shkruajnë në platformë marrin zgjidhje dhe nuk i pyet askush me kë janë. Ndërsa çdo ministër përgjigjet dhe zgjidh problemet, kryetarët e bashkive s’e bëjnë”, u shpreh ai.
Ndryshime pati edhe vetë brenda PS-së, ku është rikthyer Alfred Peza, tashmë në rolin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.