Ka ndodhur

Atentat me armë biznesmenit në Sarandë, plagoset dhe një turist. Zbulohen 3 autorët

Një biznesmen mbeti i plagosur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Sarandë nga një sulm me armë zjarri. Spiro Iljadhi, 35 vjeç, mësohet se është qëlluar nga vëllezërit Andrea e Visi Çaushi 35 dhe 33 vjeç dhe shoku i tyre, Redjan Hadëri 33 vjeç, të tre banues në Tepelenë.

Sipas policisë, tre autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur dhe një kalimtar i rastit, një turist shqiptaro-amerikan, shtetasi me inicialet M. J., 33 vjeç.

Policia thotë se ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit për motive të dobëta mes Iljadhit dhe autorëve, në afërsi të një lokali, në rrugën “Turizëm-Kanali Çukës” në qytetin bregdetar.

Mësohet se autorët kanë qëlluar me gati 20 plumba me breshëri automatiku në drejtim të Iljadhit, i cili ka marrë plagë në bark, ndërsa kalimtari në fundshpinë. Nga plumbat është dëmtuar dhe një automjet tip “Rang Rover”.

Të plagosurit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ndërsa biznesmeni u transportua me helikopter drejt Tiranës për ndihmë të specializuar.

Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, duke ngritur disa pika kontrolli dhe vijon krehja e zonēs për të bërë të mundur kapjen e autorit/ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë