Shendet

Si e ndryshon menopauza stukturën e trurit?

Sipas një studimi të ri menopauza ndryshon trurin e grave por shumë nga ndryshimet janë të përkohshme. Në një nga studimet e para për të pasur një vështrim të thelluar të ndryshimeve të trurit në gratë e shëndetshme para dhe pas menopauzës, studiuesit nga Weill Cornell dhe Universiteti i Arizonës zbuluan se tranzicioni i menopauzës ndryshon strukturën e trurit, konsumin e energjisë dhe aftësinë e të kuptuarit. Vëllimi i lëndës gri të trurit e cila përbëhet nga qeliza nervore zvogëlohet, ashtu si edhe cipa e bardhë, e cila përmban fijet që lidhin qelizat nervore. Studimi zbuloi se rajonet e trurit të shoqëruara me kujtesën dhe perceptimin gjithashtu treguan nivele të glukozës në rënie. Por gjetjet përmbajnë disa lajme të mira, truri i grave të paktën pjesërisht kompenson për këto rënie me rritjen e vëllimit të gjakut dhe prodhimin e një molekule të quajtur ATP, burimi kryesor i energjisë për qelizat.
“Studimi ynë tregon që truri ka aftësinë për të gjetur një normale të re pas menopauzës në shumicën e grave,” tha Lisa Mosconi, autore kryesore e studimit dhe një pedagoge e neurologjisë dhe drejtoreshë e organizatës “Iniciativa e Grave në Mjekësi në Neë Jork. Studimi u botua javën e kaluar në revistën “Scientific Reports” dhe ka treguar se gratë që morën pjesë në studim që kishin një variant gjenetik të shoqëruar me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjes Alzheimer grumbulluan më shumë pllaka të një proteine të quajtur amyloid beta gjatë perimenopauzës sesa gratë pa këtë variantin gjenetik. Këto pllaka janë të lidhura me zhvillimin e mundshëm të mëvonshëm të Alzheimerit.

Ende nuk dihet se si ndryshimet gjatë menopauzës ndikojnë në shëndetin e mëvonshëm, por kjo gjendje po tërheq më shumë studime. Gjatë menopauzës dhe perimenopauzës afërsisht katër deri në 10 vjet që çon në periodat e fundit të grave, nivelet e estrogjenit luhaten dhe bien. Estrogjeni mbron trurin femëror nga plakja dhe stimulon aktivitetin nervor. Në studimin e fundit, studiuesit bënë skanerin e trurit të rreth 160 gra të moshës 40 deri 65 vjeç dhe i krahasuan ato me 125 burra të së njëjtës moshë. Studiuesit studiuan trurin e grave që ishin në tre kategori, ato që nuk kishin filluar menopauzën, të përcaktuar si kur një grua është pa perioda për 12 muaj; ato në perimenopauzë dhe ato që ishin në postmenopauzë.
Ndërsa skanimet treguan një rënie në vëllimin e lëndës gri, për disa gra rëniet e tilla u rikthyen pas menopauzës, veçanërisht në “precuneus”, një rajon i trurit i përdorur në njohjen shoqërore dhe kujtesën.
Jessica Caldwell, drejtoreshë e Qendrës së Parandalimit të gjendjes Alzheimer të Grave në Klinikën Cleveland, tha se ndryshimet e trurit që ndodhin gjatë menopauzës mund të duken negative, por “ky studim vërtet tregon se për shumicën e grave kjo është e kufizuar në kohë.
Studimi i Caldwell ka treguar se edhe gratë që janë në rrezik për të zhvilluar Alzheimer shfaqin qëndrueshmëri të kujtesës për “mjaft kohë” edhe pse kanë disa ndryshime të strukturës së trurit.
“Truri mund të përshtatet si pjesë e tranzicionit të menopauzës në të njëjtën kohë kur po ndërtohen pllaka amiloide,” shton ekspertja.
Burimi: The Wall Street Journal/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë