Ka ndodhur

Fishek në dritaren e zyrës, mesazh kërcënues për prokurorin e Përmetit

Kreu i Prokurorisë së Shkallës së Parë në Përmet, Asllan Bajrami, është kërcënuar për shkak të detyrës. Burime shprehen se disa persona të paidentifikuar ende kanë lënë në dritaren e zyrës së tij një fishek model 56 të një arme kallashnikov, që dyshohet të jetë mesazh kërcënues.

Plumbi është vendosur në pjesën e jashtme të dritares të zyrës së tij që ndodhet brenda godinës së Gjykatës së Përmetit. Bajrami ka depozituar një kallëzim në lidhje me këtë çështje.

Prokurori ka deklaruar se gjatë ditëve të fundit ka marrë thirrje në celular nga numra privatë, të cilat po verifikohen tashmë nga grupi hetimor. Prokurori Bajrami ka punuar në gjykata të ndryshme në vend, ku ka pasur në ngarkim disa dosje hetimore.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili e ka cilësuar si ngjarje tepër të rëndë.

“Kërcënimi për shkak dhe në krye të detyrës i Prokurorit të Përmetit, z.Asllan Bajrami, është një ngjarje tepër e rëndë dhe e dënueshme. Nevojitet një hetim i shpejtë për vendosjen para ligjit të kujtdo, që guxon të kërcënojë përfaqësuesit e shtetit, për t’i penguar ata të ushtrojnë detyrën të pandikuar”.

Sipas Metës, “revanshi i krimit kërkon masa të menjëhershme efektive, reaguese dhe parandaluese, nga të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë publike”, – thuhet në reagimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë