Ka ndodhur

IKMT, nis shembja e objekteve pa leje në Ksamil dhe Velipojë

Operacioni i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka nisur këtë të hënë në 7 qershor me shembjen e objekteve pa leje në zonën e Ksamilit dhe Velipojës.

Më pas, aksioni i IKMT-së, do të vijojë drejtimet respektive me prishjen e objekteve zonë pas zone. Sipas autoriteteve, objektet variojnë nga 1 deri në 5 kate, me struktura beton-arme dhe godina të lehtësuara.

Pronarët janë ankuar dhe kanë kërkuar më shumë kohë që të mund të heqin materialet, pasi sipas tyre nuk janë njoftuar më parë. Pavarësisht nga kundërshtitë e tyre, deri tani nuk ka pasur përplasje verbale apo fizike me punonjësit e IKMT-së dhe forcave policore që kanë shoqëruar operacionin.

Operacioni “Bregdeti ynë” në zonën e Velipojës ka planifikuar prishjen e 15 objekteve në zonën e Velipojës dhe 30 objekte në zonën e Ksamilit ditën e hënë. Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Velipojë, po ndiqet nga zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.

Në një prononcim për mediat, Lamallari ka zbuluar edhe arsyen se përse ky operacion është ndërmarrë pikërisht tani, në sezonin veror.

“Nuk mendoj se turistëve iu prishet imazhi se si agjencitë ligjzbatuese zbatojnë ligjin, po flasim për paligjshmëri dhe ligji duhet zbatuar në çdo kohë, si në sezon si në tetor, ndoshta është pak më e ndjeshme në sezonin veror, por këto janë çështje që duhen zbatuar çdo ditë. Ky është mesazhi më i qartë, jo vetëm për turistët, por edhe qytetarëve shqiptarë, se kush do që të ndërtojë në Shqipëri duhet ta bëjë këtë sipas rregullave dhe ligjit, në çdo kohë, qoftë sezon turistik apo periudha dimërore”.

Lamallari tha se ky operacion nuk ka kthim pas. Ai shtoi se përgjegjësia është edhe e atyre që kanë shkelur ligjin që nuk kanë marrë leje, apo edhe ata që kanë toleruar shkelësit e ligjit.

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërtuesit dhe pronarët e objekteve pa leje që t’i shembin vetë, pasi sipas tij, pasojat do të jetë të rënda. Rama tha se zbatimi i ligjit kundër ndërtimeve të paligjshme në bregdet dhe jo vetëm, nuk do të kursejë asnjë subjekt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë