Politike

Dendias flet për ndarjen e detit me Shqipërinë: Po përgatitemi për të shkuar në Hagë

Në lidhje me çështjet teknike të këtij procesi, kryediplomati grek thotë se të dyja shtetet po konsultohen mes tyre për të hartuar një tekst konkret.

“Përsa i përket çështjeve teknike, duhet hartuar dhe kërkesa përkatëse. Organet kompetente të të dy vendeve vijojnë konsultimet për hartimin e këtij teksti”, tha Dendias.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në një intervistë të fundit konfirmoi se Shqipëria po përgatit dosjen e saj për t’u përballur me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por nuk zgjodhi të specifikonte një afat konkret, se kur mund të marrë zgjidhje përfundimtare çështja e mosmarrëveshjeve mbi detin.

“Në këtë pikë, ajo që palët kanë rënë dakord  është që grupet respektive në Shqipëri dhe Greqi, secili të punojë për dosjet e tyre dhe eventualisht të koordinojnë kur çështja të shkojë në Gjykatë. Pala shqiptare po punon për dosjen e saj, ekspertët më të mirë shqiptarë të hartografisë, ata ligjorë mbi të gjithë për precedentët ligjorë që duhen konsideruar, ata në Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes, po mbledhin të gjithë informacionin për të ngritur atë kazusin tonë, që eventualisht do ta çojmë në Gjykatën e Hagës. Nuk ka një afat, jemi të dyja palët në fazën përgatitore për të mbudhur informacionin e domosdoshëm dhe do të koordinojmë çuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”, tha ajo.

Ministrja konfirmoi se aktualisht nuk ka asnjë diskutim mes palëve për “detin”, pasi theksoi se rolin e arbitrit do ta bëjë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

“Procesi i negociatave për delimitimin e hapësirës detare u pezullua në momentin që doli vendimi i Gjykatës Kushtetueses, në 15 prill të 2010 dhe në takimin që ka bërë ministri i Jashtëm në Shqipëri, është renë dakord që ne këtë çështje do ta çojmë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Sot për sot nuk ka bisedime”, tha ajo.

Sa i takon ratifikimit të pakteve me Maqedoninë Veriore, pas marrëveshjes së Prespës, ministri Dendias ka deklaruar se ministria e Jashtme ka dorëzuar dosjen e plotë në parlamentin grek në shtator 2020.

“Këto marrëveshje u paraqitën në Parlament Shtatorin e kaluar. Ministria e Punëve të Jashtme ka përfunduar të gjitha veprimet e nevojshme. I takon Parlamentit të përcaktojë një datë për futjen e ligjit të ratifikimit. Më lejoni t’ju kujtoj se për shkak të pandemisë, kishte dhe ende ka masa konkrete në procesin parlamentar”, tha ministri Dendias për gazetën “Parapolitika”, intervistë të cilën e ka shpërndarë në faqen zyrtare edhe Ministria e Jashmte e Greqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë