Kombetarja

Reja i qetë: Skuadra më pëlqeu, dua më shumë shpejtësi në kundërsulm

Trajneri Reja e komentoi me nota pozitive barazimin ndaj Uellsit. Ai vlerësoi së pari karakterin që tregoi skuadra në fushë, ndërsa pikën më të dobët konsideron kundërsulmin, ku sipas trajnerit kuqezi, lojtarët duhet të veprojnë më shpejt. Në aspektin individual Reja vlerësoi portierin Selmani.

“Më pëlqeu sjellja e skuadrës në fushë, erdhëm këtu me dëshirë të madhe për të treguar aspektin karakterial. Vuajtëm në pjesën e dytë, sepse ata aktivizuan një sulmues të fortë fizikisht dhe luajtën me topa të gjatë. Në pjesën e parë luajtëm mirë, problem kishim vetëm sulmin. Luajmë shumë mirë në mbrojtje, duhet të jemi më të shpejtë dhe më të saktë në kundërsulm. Kur kundërshtari bën presing dhe zhbalancohet, duhet ta godasim. Paraqitja mbetet pozitive”, – theksoi pas barazimit në Kardif trajneri i Kombëtares, Edi Reja.

Nga ndeshja Uells-Shqipëri. Gjimshiti në një dyluftim. Gazeta Si, 5 qershor 2021

I pyetur më tej për repartet në veçanti, ai tha: “Më pëlqyen të gjithë, Seferi pati pak hapësira, por luftoi shumë. Balaj luajti mirë në pjesën e pare, Manaj me topin është shumë mirë, është nga sulmuesët më të mirë që kemi. Dua të nënvizoj faktin se Selmani debutues bëri paraqitje shumë të mirë. Gjetëm një lojtar të ri që mund të na shërbejë në perspektivë. Në topat në ajër ishte shumë mirë.

Të gjithë mbrojtësit bënë mirë. Sigurisht, mund të kemi bërë ndonjë gabim të vogël, por duhet të kemi parasysh se luanim ndaj lojtarëve shumë cilësorë. Ata bënin presing, janë shumë të fortë fizikisht. Gabimi i vetëm ishte vuajtja në pjesën e kundërsulmit. Nëse do kishim më shumë siguri kur e nisnim aksionin, do të bënim më mirë”.
Trajneri Reja komentoi edhe episodin e rrëzimit: “Ishte një incident loje, edhe unë jam pjesë e lojës, janë gjëra që ndodhin gjatë ndeshjes. Në aspektin fizik tregova gjendje të mirë”.

Çfarë e shqetëson më shumë trajnerin italian? “Kemi një skuadër shumë bujare. Me skuadrat e këtij niveli po luajmë si të barabarta dhe po fillojmë të ndërgjegjësohemi. Jemi këtu për të punuar dhe për të bërë hapa përpara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë