Kombetarja

Video/ Shqipëria reziston në Kardif, provë pozitive për Selmanin dhe Çekiçin

Ka përfunduar në barazim pa gola miqësorja mes Shqipërisë dhe Uellsit në Kardif. Ishte një ndeshje me tepër fizike, ku kuqezinjtë luajtën më mirë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën vuajtën jo pak, sidomos pas futjes në fushë të Bejl. Risitë e Rejës ishin Selmani në portë dhe Çekiçi në mesfushë, të cilët luajtën një ndeshje të mirë, sidomos i pari. Trajneri italian ka marrë disa sinjale pozitive nga kjo miqësore, pas 3 ditësh testi tjetër me Çekinë në Pragë.

Kombëtarja para ndeshjes. Gazeta Si, 5 qershor 2021

Shqipëria e nisi ndeshjen me agresivitet përpara, duke qëndruar lart dhe duke bërë presing që te mbrojtja uellsiane. Trajneri Reja, siç kishte paralajmëruar, aktivizoi nga minuta e parë Selmanin në portë, Dokën në të djathtë, Çekiçin në mesfushë dhe dyshen Balaj-Manaj në sulm. Mbrojtja me Ismajlin, Kumbullën dhe Gjimshitin ishte reparti më solid, madje shpesh ata dilnin edhe përpara për të ndihmuar sulmin.

Rei Manaj pati rastin më të mirë në pjesën e parë, teksa u lirua nga mbrojtësi kundërshtar dhe i vetëm në zonë godit mbi tra. Porta e Selmanit nuk u rrezikua asnjëherë seriozisht në këtë pjesë. Veseli për Dokën ishte lëvizja e parë e Rejës në pjesën e dytë, kur Uellsi ishte shumë më i rrezikshëm, duke e mbyllur skuadrën tonë në gjysmëfushën e saj.

Më pas ndërrimet e tjera “kokë për kokë” të italianit, pasi lodhja ka bërë të vetën. Në fushë u futën edhe Cikalleshi, Laçi, Trashi, Kallaku dhe Seferi. Në anën tjetër, ylli i uellsianëve, Gereth Bejl, luajti në 20 minutat e fundit. Mbrojtja kuqezi ia doli të thyente sulmet dhe kroset e Uellsit në zonë, ndërkohë që portieri Selmani ishte në lartësinë e duhur gjithë kohën, duke treguar personalitet në këtë ndeshje.

Gjatë ndeshjes ka pasur disa momente nervozizmi mes lojtarëve. Për këtë arsye është ndëshkuar me të verdhë Rei Manaj. Të verdhë kanë marrë edhe Ismajli për një faull taktik, Abrashi dhe Laçi. Një episod komik ishte rrëzimi i trajnerit Reja nga Manaj, pasi një lojtar uellsian shtyu sulmuesin tonë dhe më pas u ndëshkua me të verdhë.

Uells–Shqipëri 0-0
Uellsi: Henesi, Ampadu, Mefam, Dejvis, Uilliams, Levit, Alen, Ramsi, Norrington-Dejvis, Bruks, Roberts. Trajner: Robert Pejxh
Shqipëria: Selmani, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Doka (Veseli), Lenjani (Trashi), Çekiçi (Kallaku), Bare (Laçi), Abrashi, Balaj (Cikalleshi), Manaj (Seferi). Trajner: Edoardo Reja


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë