Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, në konferencën për shtyp para miqësores me Uellsin doli me një kapiten të ri, Amir Abrashin, pasi Berisha dhe Hysaj mungojnë në këtë test. Trajneri italian analizoi fillimisht kundërshtarin e nesërm, duke evidentuar pikat e forta të tij:
“Sigurisht, është problem lodhja e ekipit, por kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve, jemi përpjekur edhe të pushojmë pak. Nuk është e lehtë të përballesh me Uellsin, një skuadër e fortë fizikisht dhe teknikisht, skuadër me experiencë dhe vlera të mëdha. Nuk e di kush do të zbresë në fushë nga Uellsi, duke qenë se ata luajtën një miqësore me Francën të marten, por mendoj se trajneri i tyre do të bëjë ndryshime.
Gjithsesi, jemi gati për të bërë më të mirën në këtë ndeshje dhe për të marrë rezultat pozitiv. Pikat e tyre më të forta janë mesfusha dhe sulmi. Kanë lojtarë të nivelit te lartë si Bejl. Ata luajnë të gjithë në Angli, por futbolli anglez nuk është më si dikur, tani janë më të përgatitur taktikisht. Edhe në mbrojtje janë të organizuar, por nëse flasim për pikat e dobëta, sigurisht mbrojtja është pika e tyre kritike. Duhet të luajmë me kundërsulmin na mënyrë të tillë, që t’i zëmë në befasi”.

Më pas Reja foli për formacionin që ka menduar të hedhë në fushë në këtë ndeshje: “Pak a shumë e kam vendosur si do të luajmë ndaj Uellsit. Kam pak dyshime përpara, sepse lojtarë që janë në formë shumë të mirë, Balaj, Seferi, por edhe Manaj. Nuk kam vendosur për sulmin, në mesfushë Abrashi që do të jetë dhe kapiteni, do të jetë patjetër në fushë. Mund t’i bashkohen Bare dhe Çekici, i cili ka bërë një paraqitje të mirë këtë sezon në Turqi dhe mendoj se është momenti për ta provuar, duke qenë se edhe Memushaj ka një farë moshe.
Për mbrojtjen pak a shumë dihet, Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla do të jenë treshja e saj, ndërsa në krah kam disa mundësi dhe do t’i shqyrtoj sërish dhe nesër. Janë dy ndeshje në pak ditë dhe do të kenë mundësi të luajnë të gjithë. Në ndeshjen me Çekinë do bëj sërish ndryshime, në mënyrë që t’i aktivizoj të gjithë lojtarët”.
Sa ngjashmëri kanë Uellsi dhe Çekia me dy kundërshtarët në grup, Poloninë dhe Hungarinë? Trajneri Reja u përgjigj: “Janë skuadra shumë të forta, si Uellsi ashtu edhe Çekia. Uellsi mendoj se është i ngjashëm me Poloninë, ndërsa Hungaria eshtë pak ndryshe, është një skuadër qoftë fizikisht ashtu edhe teknikisht shumë e aftë. Ka luajtur mirë kohët e fundit. Uellsi dhe Çekia janë kualifikuar në finalet e Europianit, merreni me mend çfarë niveli janë. Uellsi mund të jetë një surprizë në Europian. E rëndësishme është të gjejmë mënyrën e duhur për të parë se ku do të jemi për ndeshjet e shtatorit. Uroj që këto ndeshje të na ndihmojnë për të bërë analizat e duhura”.

Abrashi: Ndihem lider, dua të ndihmoj djemtë e rinj
Amir Abrashi do të mbajë shiritin e kapitenit nesër ndaj Uellsit. Veterani i mesfushës është i kënaqur për këtë fakt: “Është kenaqësi e madhe dhe nder i veçantë te jem kapiten i Shqipërisë, skuadër qe e dashuroj. Me padurim pres të fillojë ndeshja”, – tha ai, për t’u fokusuar më pas te ndeshja:
“Më e mira është të fitojmë dhe të luajmë mire, por mendimi im është që në këto dy ndeshje të bëjmë lojën tonë dhe të përgatitemi për dy ndeshjet që kemi në shtator. Ata kanë skuadrën e forte, por edhe ne kemi kualitet për ta fituar këtë ndeshje. Do të japim 100% dhe shpresojmë. E shoh veten si lider, me moshë dhe me vitet që kam luajtur me skuadrën, kam shumë eksperiencë dhe t’i ndihmoj djemtë e rinj, kjo është puna ime. E ndjej si lider veten.
Uellsi është fizikisht shumë i fortë dhe luan futboll të mirë. Kanë karakteristikat e futbollistëve britanikë dhe nuk është kundërshtar i thjeshtë. Kemi parë gjerat pozitive dhe negative në stërvitje me trajnerin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




