Autoritetet thonë se Shqipëria ka shënuar ritme të mira të vaksinimit e deri tani renditet në vend të dytë për vaksinime në Ballkanin Perëndimor. Deri më sot janë kryer rreth 750.000 vaksinime dhe fasha moshore është deri në 60 vjeç, ndërkohë vaksinimi vijon edhe me grupet e përcaktuara si të rrezikuara. Aktualisht vijon vaksinimi i punëtorëve të fasonerive dhe atyre në sektorin e turizmit, ndërsa në vend kanë arritur rreth 899,550 vaksina. Autoritetet shëndetësore kanë theksuar se deri në fund të muajit qershor synohet të realizohen 1 milion vaksinime, por si do të vijojë strategjia më tej?

Silva Bino, Shefe e shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP tha për Gazetasi.al se pasi të arrihet rreth 1 milion vaksinime, synohet të arrihet rreth 500 mijë të vaksinuar me dy doza.
“Synimi ynë është të arrijmë një mbulesë të 80% të vaksinimit në këto grupe që kemi,” shpjegon Bino.
Në vendin tonë kanë arritur më shumë se 899,550 vaksinat kundër Covid-19 dhe Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se të tjera do të vijnë sipas kalendarit të kontratave. Ndërkaq nëse vaksinimi do të vijojë me një ritëm të lartë, do të ulet edhe fasha e moshës.

Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik, shpjegon se vaksinimi më pas do të vijojë me të rinjtë dhe fëmijët. Ai shprehet se nuk mund të thuhet me saktësi se deri sa do të ulet fasha moshore por mendon se në një të ardhme të afërt do të jetë deri 30 vjeç.
“Disa vende e kanë hapur fashën e vaksinimit sepse ka filluar të bjerë ritmi për dozën e parë në moshat e mesme. Edhe këtu mund të ndiqet një strategji e tillë në kohën e duhur. Për të ruajtur ritme të larta ditore,” shton eksperti.
Shqipëria e ka filluar vaksinimin në datën 11 janar dhe të parët që morën vaksinat ishin mjekët që ushtronin detyrën në spitalet Covid-19. Ndërkaq situata aktuale e Covid-19 në vendin tonë duket se është relaksuar ndjeshëm. Prej disa ditësh numri i fataliteteve varijon nën shifrat 0 ose 1 dhe të infektuarit janë ulur ndjeshëm. Dje janë shënuar rreth 14 raste të reja infektimesh nga 3057 testime.
Gjatë ditëve të fundit OBSH ka miratuar përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë Sinovac, CoronaVac Covid-19, një vaksinë me të cilën Shqipëria startoi vaksinimin masiv. OBSH shkruan se vaksina plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit.
Vendi ynë dhe disa shtete të tjera, e kanë përdorur këtë vaksinë masivisht në popullatë. Ndërkaq miratimi nga OBSH-ja i hap rrugën vaksinës për t’u përdorur edhe në programin global Covax, i cili synon të sigurojë rreth dy miliardë vaksina për vendet në zhvillim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje